Mbetet në letër detyrimi i Kushtetueses për votën e emigrantëve, Çuçi: Besoj do e gjejmë një zgjidhje…

Ndërsa Gjykata Kushtetuese kërkon nga Parlamenti që të zgjidhë brenda këtij viti çështjen e votës së emigrantëve, gjasat janë që kërkesa nuk do të marrë drejtim.

As kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi nuk ka ndonjë përgjigje konkrete për këtë.

I pyetur nga gazetarët jashtë sallës së seancave plenare, Çuçi tha se kishte bërë shumë punë në këtë drejtim, por zgjidhja përfundimtare duket ende larg.

“Besoj do e kemi një zgjidhje siç e kemi gjetur gjithmonë. Po pyet njeriun që ka bërë më shumë se asnjë në lidhje me votën e emigrantëve bashkë me Oerd Bylykbashin”, tha Çuçi.

Në dispozitivin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese i marrë në dhjetor të vitit të shkuar. thuhet se është konstatuar cenimi i së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor.

Ndaj Kushtetuesja urdhëron detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Ky vendim lidhet vetëm me zgjedhjet parlamentare, çka do të thotë që zgjedhjet e 2025 do të bëhen me votën e emigrantëve nëse politika do të miratojë këtë vendim.

KAOSI NE KUVEND

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, i përcolli me ironi aksionet e opozitës.

“Lajmi i mirë që nuk përbën lajm janë flakadanët. Revolucioni i karrigeve pati seancën e radhës. Së dyti, dua të kundërshtoj sepse buxheti nuk është miratuar në 8 minuta, por pas një diskutimi shumë të gjatë në komisione.

Komisionet janë të hapura dhe janë konsultuar me grupet e interesit. Pa diskutim ka një anomali e ardhur nga opozita”, tha ai.

Nesër Kongresi i PS-së

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi deklaroi se nesër në Kongresin e PS-së do të diskutohet mbi një sërë temash.

Për gazetarët Çuçi tha se do të reflektohet mbi gjërat që duhet të bëhen më mirë si dhe për projektin e Shqipërisë së 2030-ës.

“Kryetari ndryshohet edhe në kongrese të zakonshme. E jashtëzakonshme është se nuk është as zgjedhor dhe as sipas rutinës.

Është një kongres që bëhet për të bërë një përmbledhje, për të reflektuar mbi gjërat që duhet të bëjmë më mirë dhe për të përcaktuar vizionin tonë për Shqipërinë e vitit 2030", theksoi ai.

EMISIONET