"ABSURDI JURIDIK"/ Masa për Berishën, Topalli: Vendim absurd nga drejtësia e politizuar që sfidon çdo parim të shtetit ligjor
Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli ka reaguar pas masës detyrim paraqitje për kryetarin e PD-së, Sali Berisha.
Përmes rrjeteve sociale, Topalli thekson se dje kemi qenë dëshmitarë të një tjetër vendimi politik nga sistemi i drejtësisë: detyrimi për paraqitje ndaj Sali Berishës, liderit të opozitës.
REAGIMI I TOPALLIT

Një vendim absurd nga drejtësia e politizuar!
Dje kemi qenë dëshmitarë të një tjetër vendimi politik nga sistemi i drejtësisë: detyrimi për paraqitje ndaj Sali Berishës, liderit të opozitës.
Ky është një akt që sfidon logjikën juridike dhe parimet themelore të drejtësisë.
Ky vendim, i marrë kur hetimet janë mbyllur, nuk është thjesht i pa mbështetur ligjërisht; ai është një absurd juridik që sfidon çdo parim të shtetit ligjor.
Në fakt, absurdi ka shoqëruar çdo fazë të këtij procesi politik.
• Berisha është arrestuar pa akuza.
• Kryetari i opozitës është mbajtur në arrest shtëpie për 333 ditë, në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
• Është dënuar nga një gjyqtare e shkarkuar për korrupsion nga vetë Presidenti Berisha.
• Procesi ka nisur nga një ministër i qeverisë aktuale.
• Bazohet në një VKM kolegjiale të miratuar 20 vite më parë.
Me vetëm 4 muaj nga zgjedhjet, është e pamundur të mos e lidhim këtë proces me fushatën elektorale dhe përdorimin e drejtësisë nga pushteti aktual. Kjo është një “gjueti shtrigash” e orkestruar për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.
Ironikisht, duke ndjekur këtë rrugë të gabuar, kundërshtarët e tij po e shndërrojnë Sali Berishën në një figurë të persekutuar padrejtësisht, e cila në vend që të dobësohet, fiton mbështetje dhe solidaritet.
Historia ka treguar se padrejtësitë vetëm i forcojnë figurat si Berisha dhe i rrënjosin më thellë në ndërgjegjen publike.
“Kur drejtësia bëhet e politizuar, ajo humbet çdo lidhje me ligjin dhe shndërrohet në një mjet të pushtetit, duke cenuar themelet e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë.” Drejtësia e politizuar nuk është drejtësi!



