Pensionet Shqipëri-Itali, Braçe: Greqia ndihet shumë keq, po mohon me vetëdije një të drejtë themelore
Deputeti socialist, Erion Braçe, ka reaguar ditën e djeshme për marrëveshjen për sigurimet shoqërore, të firmosur dje mes Shqipërisë dhe Italisë.
Përmes një videoje të publikuar në “Instagram”, Braçe tha se kjo është një ditë e shënuar për shqiptarët që kanë punuar prej vitesh në Itali.
“Pensionet tuaja; Të gjithë ata shqiptarë që janë këtu, kanë kontribuar këtu, por edhe në Italinë fqinje me punën, mundin e sakrificat e tyre;
Të gjithë ata shqiptarë që janë në Itali, kanë kontribuar atje me punën, mundin e sakrificat e tyre, por edhe këtu, në Shqipërinë ku kanë punuar e sakrifikuar po aq; Kanë ditën e tyre, ditën e mirë:
U njohën kontributet e tyre në sigurime shoqërore në të dyja vendet, u njohën pensionet e tyre!
U njoh një e drejtë themelore e lidhur ngushtë me punën!
Dua t’i njoh meritën kryeministrit Rama dhe qeverive që në këto 10 vite ngulmuan kaq shumë dhe zgjidhën një problem kaq të madh; partnerëve të tij italianë, të gjithëve deri tek këta të sotmit-politikë dhe ekzekutive, që ju përgjigjen përmbushjes së kësaj të drejte!
Në anë tjetër;
Një ditë e tillë, duhet të jetë sa më parë për të gjithë shqiptarët që në 32 vite kanë punuar me mund e sakrifica enorme, kanë kontribuuar në ekonominë greke!
Është vendi ku ne nuk gjejmë partnerë prej 32 vitesh për këtë çështje; është në vazhdën e mohimit të një mali me të drejta për punëtorët shqiptarë atje!
Besoj Greqia është e qartë: Po mohon me vetëdije një të drejtë themelore ekonomike për punëtorët shqiptarë! Besoj se Greqia ndihet keq sot, shumë-shumë keq!
Jo vetëm në raport me shqiptarët, por mbi të gjitha, me të drejtat; një vend i padrejtë në këtë aspekt jetik për çdo punëtor!”- shkruan Braçe.