Lulzim Basha për “Ora News”: Më të pushtetshmit janë dhe njerëzit më në panik të vënë nga SPAK-u, ndaj po i kundërvihen fort

Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha, në një intervistë me skype nga Strasburgu komentoi në studion e lajmeve në “Ora News” zhvillimet e djeshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës por edhe aktualitetin politik në Shqipëri.

INTERVISTA

Ambasada Amerikane merr në mbrojtje SPAK-un, si e shihni reagimin e sotëm?

Lulzim Basha: E mbështes plotësisht deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Partia Demokratike dhe unë kemi ngritur prej kohësh shqetësimin që ka një revansh nga mazhoranca dhe Edi Rama, nga ministrat e tij, nga kryebashkiakët e tij, të cilët gjenden nën panik pasi e kuptojnë se e kanë humbur kontrollin që kanë pasur mbi drejtësinë, një drejtësi që po fillon të hedhë hapat e parë të pavarur. Dhe duken frytet e para, për ministra, zëvendëskryeministri, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe drejtorët e tij, të gjithë ndodhen para SPAK-ut. Nga ana tjetër ka një aleancë deri para pak kohësh të fshehur, por tashmë ka dalë hapur, ku po sulmohet SPAK-u, që është institucioni i vetëm që po lufton korrupsionin, dhe ku korrupsioni mbetet problemi kryesor i kësaj qeverie.

Dhe nga ana tjetër një qeveri që artikulohet pro SPAK-ut, por me vendimet që ndërmerr, i kufizon hapësirat SPAK-ut. Kishim një drejtori, tani kemi një ministri për Korrupsionin, një ministri që bën zero punë dhe merr taksat e shqiptarëve jo për ta luftuar apo denoncuar korrupsionin, por për ta mbuluar korrupsionin.

Mesa duket SPAK-u është në shënjestër të këtyre faktorëve politikë të qeverisë dhe Kryeministrit dhe ka një sërë hapash që me amnistinë e turpshme që u falën të dënuarit për korrupsion, dhe që nuk do të ishte e mundur pa bashkuar votat me një pjesë të atyre që i thonë vetes opozitë. Duke vazhduar përpjekjet me instrumenta ekstra-kushtetues duke i mbivendosur SPKA-ut, dhe duke ia kufizuar të gjitha mundësitë pa kallëzime penale nga institucionet, me mungesa në personel, dhe qartësisht këta janë bërë pishman për SPAK-un dhe ky është lajm i mirë për shqiptarët. Pasi për herë të parë në 34 vite kemi prokurorë të cilët guxojnë të administrojnë problemin më të madh që ka Shqipëria që është pandëshkueshmëria dhe mungesa e shtetit ligjor.

Pra, ju jeni i bindur se këto sulme kanë emra dhe arsye?

Lulzim Basha: Pa diskutim. A ka shqiptarë që nuk i di emrat e atyre që po heton SPKA-u?! Kjo për shkak se ata kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve, kanë abuzuar dhe shpërdoruar pushtetin e tyre. Pra, më të pushtetshmit në Shqipëri janë dhe njerëzit më në panik të vënë nga SPAK-u ndaj ata po ndërmarrin hapa konkretë për t’iu kundërvënë atij, fatkeqësisht me një pjesë të atyre që i thonë vetes opozitë, por që ndajnë të njëjtin qëllim.

Kosova në KiE

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha në një intervistë për “Ora News” se vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk ishte një punë e lehtë.

“Ishte një lloj pune dhe angazhimi politik ku asgjë nuk merret e mirëqenë dhe ku i gjithë kapitali politik dhe personal duhet vënë të mbledhjes “kokërr për kokërr” të çdo vote, por në fund ajo që ka rëndësi është rezultati, dhe rezultati ka qenë pa diskutim i jashtëzakonshëm. Na mbajti në tension deri në çastin e fundit. Patëm zhgënjimet tona, patëm dhe surpriza”, tha Basha.

Nga kush u zhgënjyet më shumë?

Lulzim Basha: Disa priteshin, Hungaria dihej, por prisja më shumë nga Italia dhe nuk prisja atë qëndrim që patën në sallë. Megjithatë, masat i morëm, natyrisht dhe në udhëheqjen dhe në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe e rëndësishme është që ia dolëm mbanë.

A mund ta quajmë një qëndrim i zbutur apo dinak ai i mbajtur nga ana e Serbisë?

Lulzim Basha: Jo aspak. Serbia ka ndërmarrë fushatën më të egër që mund të imagjinoni. Jo thjesht si përpjekje diplomatike, por në gjuhën që ajo ka përdorur: anatemomi, bullizimi, përpjekja për të intimiduar Dora Bakojanisin, gjuha e përdorur në komunitetin politik, gjuha e përdorur nga anëtarët e tyre në komitetet dhe grupet politike, si në PPE por dhe në grupimet e tjera, ka qenë një gjuhë primitive, rrugaçërore, sigurisht të zhveshur nga çdo argument kanë menduar të shkaktojnë një tollovi të adaptimit të një toni të egër. E kundërta ndodhi, por i mobilizoi edhe më shumë mbështetësit e Kosovës. Ua bëri edhe më të qartë që këta nuk kanë interes për të drejtat e minoritetit serb, por këta e përdorin siç e përdorën në Banjskë si “mish për top”. Pra ata kanë të tjera plane: plane territoriale, kanë plane revanshiste për Ballkanin, duan një pjesë të Kosovës, duan të ndajnë Bosnjë-Hercegovinën, duan të rikthehen si forcë hegjemonie në Mal të Zi e ta trajtojnë atë si një provincë të vetën dhe jo si një republikë të pavarur anëtare e NATO-s dhe kandidate për në BE. Pra, është një plan krejtësisht në kundërshtim me synimet e BE-së, NATO-s dhe kjo u zbulua qartësisht që Serbia ka zhvilluar një fushatë të egër dhe që nuk ka ndaluar për asnjë çast. Por e mira e kësaj të keqeje është që u distancuam përfundimisht dhe sot pak ka nga ata që nuk janë zhveshur nga çdo iluzion për çfarë synon Beogradi dhe që duhen marrë masa konkrete për t’u trajtuar kjo situatë, edhe përtej raportit të Kosovës me KiE-në.

E bën më të vlefshëm miratimi i organizatës këtë për të hequr disa stërkëmbësha nga Serbia?

Lulzim Basha: Pa diskutim që po. Është hap shumë i rëndësishëm, sepse janë 46 vende që mbajnë këtë qëndrim. Është gjithë BE-ja, është NATO-ja dhe qëndrimi i tyre ishte stoik ndërkohë që serbët provokonin me 15 amendamente njëri pas tjetrit. Të gjithë deputetët që ishin aty në një orë të pazakonshme për një Asamble Parlamentare që nuk janë mësuar të qëndrojnë aq vonë dhe ky ishte një nga bastet që kishte vënë Serbia që ta zgjaste këtë seancë deri në orët e vona të natës në mënyrë që të kishte deputetë që largoheshin dhe të mos kishte kuorum. Megjithatë të gjithë miqtë tanë qëndruan aty në mënyrë stoike, mposhtëm me shumicë absolute çdo amendament të Serbisë dhe aty u kuptua që ata kishin marrë fund dhe Kosova do të merrte dritën jeshile nga Asambleja.

Propozimi për konfiskimin e aseteve ruse nga ana juaj dhe që u miratua, çfarë ndodh pas kësaj rezolute?

Lulzim Basha: Hapi i radhës janë dy rekomandimet dhe të dyja kaluan me votë unanime 134 me 0, dhe tashmë duhet të veprohet sa më shpejt sipas këtij rekomandimi, i cili parashikon ngritjen e një instrumenti ndërkombëtar për depozitimin e aseteve të ngrira ruse dhe shpërndarjen e tyre sipas kritereve të transparencës dhe llogaridhënies Ukrainës, të gjitha palëve të dëmtuara atje, publike dhe private, dhe për programe ndihme për Ukrainën. Janë rreth 300 miliardë euro që janë të ngrira në vende të ndryshme nga SHBA-të tek Japonia, pra G 7 kryesisht, dhe këto para dhe asete të jashtëzakonshme janë shumë të nevojshme për Ukrainën në këtë moment. Ndaj ky është një moment i jashtëzakonshëm për të gjithë por në radhë të parë është një mesazh i qartë për Kremlinin që tregon se Perëndimi dhe Aleanca për Ukrainën jo vetëm nuk është lodhur dhe dorëzuar por për ndërmerr hapa përpara dhe po dëshmon mbështetje pa kushte të Ukrainës. Dhe sigurisht që votimi i saj ka dhe këtë kuptim, jo thjesht konfiskimi i aseteve ruse, por dhe mbështetje shumë e nevojshme politike dhe unanime për Ukrainën, e cila u përfaqësua nga kryetari i Kuvendit, i cili me fjalën e tij mori dhe mbështetje unanime të Asamblesë Parlamentare.

Mes rolit dhe kontributit politik në Shqipëri dhe kësaj që po bëni në arenën ndërkombëtare, kë do zgjidhnit?

Lulzim Basha: Detyra ime parësore është sigurisht Partia Demokratike, opozita shqiptare, oferta ndaj shumicës dërrmuese që duan ndryshim dhe kjo është mëse e qartë tashmë. Tejkalimi i situatës së krijuar brenda vetë opozitës për shkak të konfliktit të interesave personale të disa individëve me interesat e shumicës së opozitarëve dhe shqiptarëve që duan ndryshim dhe gjithë energjia dhe fokusi im është tek alternativa, programi dhe ekipi i PD-së dhe aleanca jonë politike dhe aleanca jon ëme qytetarët. Mendoj që në funksion të kësaj, por gjithmonë edhe në mbështetje të Kosovës dhe flamurit shqiptar  dhe flamuri i udhëheqjes së konfiskimeve të aseteve ruse vetëm ndihmojnë shqiptarët por dhe profilizimin e opozitës së sotme dhe qeverisjes së nesërme.

EMISIONET