Kuvendi dhe KiE konferencë në Tiranë, Nikolla: Pabarazia gjinore, çështje e të gjithë shoqërisë
Në Pallatin e Kongreseve u zhvillua sot për herë të parë në Tiranë, takimi i Rrjetit Parlamentar “Gratë të Lira nga Dhuna” dhe i Komisionit për Barazi dhe Mosdiskriminim i Këshillit të Europës, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me AP të KiE.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e pranishme në këtë takim u shpreh në fjalën e saj se, pabarazia e grave nuk është vetëm çështje e tyre, por e të gjithë shoqërisë.
Nikolla theksoi se, nuk mund të flitet në të ardhmen e afërt për ngushtim të pabarazive gjinore dhe se kjo mund të arrihet vetëm përmes zhvillimit dhe emancipimit të shoqërisë.
“Gratë e lira janë treguesi më domethënës i një shoqërie të lirë. Liria e grave pengohet dhe ngadalësohet nga pabarazia gjinore”, u shpreh Nikolla.
“Çlirimi nga dhuna është një proces adaptiv dhe që të kemi sukses në këtë luftë duhet të jemi të qartë për vizionin dhe premisat nga duhet të nisemi. Pabarazia e grave dhe vajzave nuk është një çështje vetëm e tyre, por e gjithë shoqërisë. Pabarazia e grave nuk është një dukuri në periferi të shoqërisë, por shpesh edhe në mes të institucioneve të shoqërisë”, theksoi më tej kryetarja e Kuvendit.
Nikolla nënvizoi se, “jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumicën e vendeve të përfshira në zgjerimin e hapësirave të lirisë së grave, kemi një gjendje asimetrike midis investimit shoqëror për lirinë, çlirimin e grave nga pabarazitë gjinore”.
Sipas saj, ky investim i shoqërisë nuk i është kthyer ende.
“Pabarazia gjinore nuk mund të ngushtohet të paktën sot dhe në të ardhmen e afërt nuk mund të bëhet fjalë për eliminimin e saj me tregues statistikor, por me elementë zhvillimi dhe emancipimi të shoqërive tona”, tha Nikolla.

Ndërkaq Linda Rama gjatë fjalës së saj theksoi se dhuna online është shfaqur në jetën tonë si një e përditshme.
"Sot realiteti është i pakrahasueshëm. Shoqëria civile ja doli të nxisë me qëndrueshmërinë e saj një rritje të dëgjueshmërisë mbi atë anë vulnerabël brenda vorbullës ku kaloi ajo pjesë e tranzicionit. Ajo masë aktive krijoi cilësi me pak sasi duke ndikuar axhendën ligjore në dobi të gruas dhe jetësimin e modeleve të para të shërbimeve për vajza dhe për gratë në nevojë.
Shteti filloi të krijojë një kornizë të qëndrueshme ligjore në mbështetje të grave dhe vajzave duke krijuar dhe permisën e integrimit gjinor për t’u bërë këmbëngulës në objektivat me natyrë gjinore. Mbi të gjitha janë vetë gratë që ja dolën që të bëjnë një realitet të jashtëzakonshëm kontribues dhe një gjenerator emancipimi.
Më lejoni të dal tek shqetësimi: Në rrugëtimin e nisur në vitet ’90, ne e dinim kush ishin dhunuesit, shantazhuesit, pësuam, mësuam dhe u fuqizuam në përballjen me to, si ne dhe shteti. Kjo mbetet përballë një kërcënimi të ri që në momentin që në jetën tonë u shfaq Facebook, Youtube dhe më tej TikTok, një botë në një korsi paralele me botën përballë tyre, ku mua më duket se kjo botë nuk ndahet më në një botë me vende të zhvilluara dhe në zhviullim.
Dhuna në familje vijon të jetë një plagë për shumë vajza dhe gra në një shoqëri që jeton ende në kornizat e steriotipeve të së kaluarës dhe problematikave sociale dhe ekomonike, një dhunë tjetër, dhuna online është shfaqur në jetën tonë si një e përditshme që shtrin zotërimet e saj në territore të reja brenda nesh, mes nesh, duke krijuar rrathë të rinj, të cilët po aq sa i shumfishojnë, aq dhe e ngushtojnë hapësirën e lirisë së njeriut që praktikisht nuk mbaron më aty ku fillon liria e tjetrit.
Më së shumti në shënjestër të gjuhës së urrejtjes është gjinia. Gjuha e urrejtjes kryesisht buron nga vetë media, gazetarë dhe analistë, por nga raste sporadike edhe nga politikanë, artistë, intelektualë, pedagogë, persona të famshëm dhe me ndikim në publik që bëjnë gjyqin ndaj të tjerëve, duke drejtuar gishtin nga ata, por kurrë nga vetja, pa u kundërshtuar nga intervistuesit.
Më duket se çdo ditë që kalon, unë si nënë jam më e paaftë për të mbrojtur djalin tim 10-vjeçar nga rreziku që kërcënon përditë fëmijët, vajzat dhe gratë. Ne me siguri nuk do të gjejmë dot përgjigjen që na qetëson. Ne jemi mbledhur me dëshirën për të ndarë frikërat, është një ushqim për shpresën se përgjigja do të gjendet, madje shpejt", u shpreh Linda Rama.





