Kosovë, Nikolla: Integrimi në BE, faktor paqeje e sigurie edhe për gratë

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, tha të hënën se “Integrimi në Bashkimin Europian është faktor paqeje e sigurie edhe për gratë”.
E pranishme në Forumin për Gratë, Paqen, Sigurinë, organizuar me nismën e Presidentes Vjosa Osmani në Prishtinë, Kryeparlamentarja Lindita Nikolla, theksoi sot se “Ky Forum rrezaton një simbolikë të fuqishme, duke u zhvilluar në Prishtinë, në kryeqytetin e shtetit më të ri të Europës, dhe në zemër të një rajoni, popujt e të cilit, për shkak të së kaluarës, e dëshirojnë dhe e meritojnë paqen dhe sigurinë, po aq sa çdo popull tjetër evropian, ndoshta më shumë”.
“Mbrojtja e grave e vajzave nga dhuna, siguria e jetës, integriteti dhe dinjiteti i tyre, janë pjesë e sigurisë së përgjithshme në shoqëritë e vendet tona.
Nuk mund të ketë gra të sigurta, në një rajon të pasigurt, nuk mund të jetojmë dhe shijojmë paqen, nëse gjysma e popullsisë është e kërcënuar apo vuan padrejtësi ekonomike, politike, sociale, gjinore, etnike a fetare”, u shpreh Nikolla.
“Nuk mund të kemi një rajon të sigurt, nëse në periferi të tij, në Ukrainë dhe pas sulmit të Iranit kundër Izraelit edhe në Lindjen e Mesme, nxijnë retë e luftës dhe gratë e fëmijët janë viktima të pafajshme të saj”, vijoi Nikolla.
“Vendet tona, prej më shumë se tri dekadash, po përjetojnë disa procese transformuese paralele: demokratizimi, transformimi drejt ekonomisë së tregut, globalizimi, europianizimi drejt bashkimit me familjen europiane, integrimi atlantik, integrimi dhe bashkëpunimi rajonal, kontributet për paqen dhe sigurinë etj”, tha Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas saj, “lufta kundër dhunës seksuale dhe mbrojtja e grave e vajzave prej saj është një çështje që na preokupon në të gjitha vendet tona. Por që kjo luftë të fitohet, kërkohet një vizion më largpamës dhe një qasje më adaptive, krahasuar me zgjidhjet teknike që ndonjëherë i jepen kësaj çështjeje”.
“Ne flasim shumë për kuota përfaqësimi, për përqindje grash e vajzash në institucione, për arritje individuale të mjaft prej tyre në vendet tona apo në nivel global.
Por kjo nuk mjafton. Përpjekjet që po bëjmë për t’i imponuar shoqërisë nga lart rritjen e pjesëmarrjes së grave e vajzave në sferat e mësipërme të jetës shoqërore, duhet të kombinohen me krijimin e hapësirave për zhvillimin dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën ekonomike dhe familjare”, u shpreh ajo.
“Shkurtimi i distancës dhe ngushtimi i hendekut midis pjesëmarrjes politike, pjesëmarrjes në ekonomi e tregje dhe familje është rruga më e qendrueshme për arritjen e barazisë gjinore.
E cila, nga ana e vet, është një kusht thelbesor për shmangien e dhunës seksuale me bazë gjinore.”, përfundoi Nikolla.
Në Forum morën pjesë presidentë, kryeministra, kryeparlamentarë dhe personalitete të larta shtetërore nga vendet rajonit, Evropës, SHBA, Kanadaja etj. Tema e Forumit ishte kundër dhunës seksuale, konflikteve e pasojave të saj.

