Korporata e investimeve, Ibrahimaj -Tabakut: AIC vepron edhe si pronar shtetëror në projekte të investimeve strategjike, po i rrit vlerën pronave
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC), e krijuar në vitin 2019, synon të transformojë mënyrën se si shteti menaxhon pronën publike, duke e kthyer atë në një instrument zhvillimi ekonomik.
Sipas saj, ideja kryesore ka qenë që shteti të mos mbetet pasiv, por ta trajtojë pronën me një qasje sipërmarrëse. Ibrahimaj shpjegoi se menaxhimi i korporatës realizohet në dy nivele: nga drejtori ekzekutiv dhe këshilli mbikëqyrës, ndërsa përdorimi i pronës shtetërore për zhvillim ekonomik nuk është një praktikë e re.
“Korporata e Investimeve u krijua në 2019 dhe ka më shumë se 6 vjet që është në funksionim. Qëllimi ishte pasi ne duam që shteti të mos veprojë si pasiv në zhvillim dhe ta shohë pronën me një këndvështrim sipërmarrës dhe jo me një këndvështrim pasiv. Ne nuk kemi krijuar një model nga zero. Korporata e Investimeve është krijuar në bashkëpunim me ekspertë të Harvardit. Sa i takon menaxhimit të korporatës bëhet në dy nivele nga drejtori ekzekutiv dhe këshilli mbikëqyrës. Përdorimi i pronës shtetërore nuk ka filluar në kohën e PS, por që me politikën Shqipëria 1 euro, e nisur nga PD e mbështetur dhe e vazhduar nga PS sepse besojmë që pronat publike duhet të jepen me qëllim rritjen e investimeve”, u shpreh ministrja.
Si shembull konkret, ministrja përmendi projektin e zhvillimit të Stadiumi ‘Selman Stermasi’, ku një pronë publike me vlerë të ulët do të zhvillohet në partneritet me sektorin privat. Po ashtu ajo përmendi edhe rastin e investimit në Sazan apo në Durrës Marina.
“Korporata në punën e saj ka disa mënyra sesi e përdor pronën shteterore, AIC merr një pronë që është një aset e degraduar, me jnë vlerë shumë të ulët, si psh stadiumin “Selman Stermasi” dhe në partneritet me privatin e zhvillon pronën dhe në këmbim shteti përfiton një stadium me standarde të UEFA-s, një parkim të madh nëntokësor dhe sipërfaqe për zyra. Thënë në shifra, shteti vë në dispozicion 15 mijë metra katror, me vlerë trualli 10.5 mln euro dhe merr në këmbim një stadium, 10 mijë metra parkim, 7 mijë metra katror sistem shërbimi me vlerë 84 mln euro dhe para apo godina me vlerë 40 mln euro. Në raste të tjera AIC mund të këmbejë pronat, sic është rasti ish godinës së ATSH dhe parkut të delegacioneve tek Komuna e Parisit.
AIC vepron edhe si pronar shtet në projekte të investimeve strategjike, si psh Sazani dhe Durrës Marina, është autoriteti ku shteti ka autorizuar për të qenë pronari shtet në këto projekte madhore që do ndikojnë në zhvillimin turistik të Durrësit dhe Vlorës. Projektet që përfshihen ne pronat shtetërore janë prona që i rritet vlera”, tha ministrja.

