Kontrollet e SPAK gjatë zgjedhjeve të 11 majit, Dumani-Boçit: I morëm në konsideratë denoncimet tua, rezultuan të pavërteta
Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, raportoi sot në Kuvend mbi veprimtarinë e institucionit për vitin 2024.
Gjatë seancës, Dumani u pyet nga deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i cili kërkoi sqarime mbi arsyet pse, sipas opozitës, kryeministri Edi Rama “është shpallur i paprekshëm” nga drejtësia.
Në përgjigjen e tij, kreu i SPAK theksoi se për Prokurorinë e Posaçme nuk ekziston asnjë individ mbi ligjin dhe se çdo hetim zhvillohet në bazë të fakteve dhe provave, jo të emrave apo funksioneve.
Për SPAK nuk ka të paprekshëm! Siç e kam thënë edhe më parë, për prokurorët e posaçëm nuk kanë rëndësi emrat, por vetëm provat,” – deklaroi Dumani.
Ai sqaroi më tej se çdo procedim penal fillon me hetimin e faktit penal dhe më pas shtrihet në drejtim të autorëve të veprës penale:
“Në çdo procedim penal, hetimi zhvillohet fillimisht për faktin penal dhe më tej në drejtim të autorëve të mundshëm. Të gjitha rastet që përmendni janë objekt i hetimeve të gjithanshme nga prokurorët tanë.
SPAK ka qenë në terren dhe në zonën që ju keni drejtuar politikisht zoti Boçi dhe ju (Luçiano Boçi) e dini sa e vëmendshme ka qenë ndaj denoncimeve, ku pas një denoncimi je kontaktuar dhe të është bërë e ditur, je ftuar të japësh të dhëna në lidhje me faktin që denoncimeve. Me kontaktin që morëm me ju hetuesit e byrosë bënë verifikimet lidhur me zonën ku ju denoncoi dhe nuk rezultoi që të kishte të bënte me blerje votash”, tha kreu i SPAK, Altin Dumani.

