KONFERENCA NDËRQEVERITARE SHQIPËRI-BE/ Gjipali: Rezolutat nuk mjaftojnë pa reforma të qëndrueshme
Në një lidhje direkte për Ora News ishte drejtuesi i organizatës Lëvizja Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, i cili komentoi zhvillimet më të fundit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, raportin e “Ibar-it” dhe pritshmëritë për konferencën ndërqeveritare në Bruksel.
Sipas tij, rezoluta e miratuar së fundmi në Kuvend me konsensus mes palëve politike përbën një hap pozitiv, por jo vendimtar për ecurinë e procesit të integrimit. Ai shpjegon se vendet anëtare të Bashkimit Europian vlerësojnë në mënyrë të vazhdueshme reformat dhe jo vetëm gjeste të veçanta politike.
“Ka një ndikim pozitiv, por nuk është elementi kryesor që përcakton vlerësimin për Shqipërinë. Vendet anëtare shohin të gjithë ecurinë e reformave në tërësi. Gjeste të tilla mund të ndihmojnë në një moment të caktuar, por nuk e ndryshojnë procesin në mënyrë thelbësore.”-tha ai.
Ai shton se përparimi real në procesin e integrimit kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm dhe jo veprime të izoluara politike, duke theksuar se vetëm puna e qëndrueshme në reforma mund të sjellë rezultate konkrete.
Në lidhje me konferencën ndërqeveritare në Bruksel, Gjipali e konsideron atë kryesisht një hap formal, pasi vendimet kryesore janë marrë më herët në nivel ambasadorësh. Sipas tij, takimi shërben më shumë për deklarime publike dhe për të orientuar fazat e ardhshme të procesit.
“Konferenca është në thelb një akt formal. Vendimmarrja është marrë më parë dhe tani priten më shumë deklarime politike. Ajo që do të ketë rëndësi janë qëndrimet e palës europiane dhe sinjalet që do të japin për vijimin e procesit.”-shtoi ai.
Ai u ndal edhe te raporti i “Ibar-it”, duke theksuar se vërejtjet për institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un, janë pjesë e shqetësimeve që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme në procesin e reformave.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:


