Komploti i Tiranës

Komploti i Tiranës

Ekzistojnë komplote njerëzore, politike, sociale, fetare, institucionale e ekzistojnë dhe komplot arti.

I tillë është Komploti i Tiranës, i kryer më vitet 2000 - 2001 me Kryetar Bashkie, kryeministrin aktual Edi Rama.

Pak ditë më parë u nda nga jeta një nga fotografët më të mëdhenj italianë, Oliviero Toscani, revolucionari i botës së komunikimit vizual, artisti provokues që influencoi artin dhe impenjimin social.

E është ky gjeni i artit të fotografisë në qendër të një prej komploteve më të mëdha të botës së artit që përfshiu Tiranën, Edi Ramën, ish-kryetar bashkie i këtij qyteti në ato vite, revistën italiane “Flash ART” me drejtorin e saj e autoritetet e anti-terrorizimit.

Dhe pse i ngjan një historie rozë, kjo ngjarje impenjoi në Itali, Drejtorinë e Antimafias Italiane e një hetim shumë nivelesh.

Në një Tiranë, që në atë dekadë dhjetëvjeccare postkomuniste kishte parësore mbijetesën e jo artin, pakkush do të kujtojë manifestin e Bienales së parë të Artit të hapur në kryeqytetin post diktaturë- flamuri shqiptar me shqiponjën e deformuar me linjat e saj, sikur po jepte shpirt me trupin që i fërgëllonte.

Ta shohësh sot, ka aq ngjashmëri me skicën shqiponjën që Kryeministri Rama pikturoi në librin e shënimeve në maj të 2021-it gjatë një vizite në Akademinë e Shkencave.

Po le t’i kthehemi Komplotit të Tiranës që deri më 14 shtator 2001, dita e inaugurimit të saj quhej Bienale e Tiranës.

Manifesti i kësaj bienale, ky flamur i kuq i deformuar në linjat e tij ishte realizuar në letra nga fotografi i njohur italian Oliviero Toscani që së bashku me artistët Maurizio Cattelan, Vanessa Beecroft, Nicolas Bourriaud, Francesco Bonami ishin kuruesit e kësaj Bienale.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, kishte autorizuar hapjen e saj dhe 4 artistët e zgjedhur nga Oliviero Toskani ishin: nigeriana Bola Ecua, arabi Hamid Piccardo, italiani Carmelo Gavotta e sllavi Dimitri Bioy.

Bola Ecua ishte një aktiviste e kërkuar nga qeveria nigeriane, që me artin e saj denonconte ngjarjet politike, vrasje, kriza sociale; Dimitri Bioy një fotograf i nudos me modele dhe minorene për të treguar se arti nuk ka limit moshe, e i dyshuar për pedofili; e Carmelo Gavotta, një pornograf që me videot e tij artistike kishte treguar se pornografia mund të prodhohet nga ccdokush që ka një instrument për të filmuar dhe Hamid Picardo, sipas skedës prezantues ishte një fotograf i talentuar që Bin Laden e kishte emëruar zëdhënësin e Jihad në art.

Fotografitë e tij në Bienalen e Tiranës ishin: Bin Laden me kallashnikov në duar, një avion i rrëzuar etj...

Veprat e tyre mbushën ekspozitën Bienale të Tiranës, katalogun demonstrues, por në ditën e inaugurimit as ata, as kuruesi që i përzgjodhi këta artistë, fotografi Oliviero Toscani, nuk mbërritën në Tiranë.

Bienalja do inaugurohej më 14 shtator 2001, tre ditë pas atentatit të Kullave Binjake në Neë York City.

Kryetari i Bashkisë Edi Rama, drejtoritë kompetente e personat që u bënë ndërlidhës të këtij eventi artistik menduan se frika për të fluturuar pas ngjarjes dramatike kishte penguar këtë pjesëmarrje.

Por e vërteta ishte ndryshe;

Katër artistët nuk kanë ekzistuar kurrë e Oliviero Toscani nuk kishte marrë kurrë përsipër të ishte kuruesi i kësaj bienaleje.

Ishte thjesht dhe qartë një mashtrim.

Artistë të sajuar me vepra të sajuara e marrë nga fotografi interneti, video porno ose fotokopje.

E Olivero Toscani nuk kishte marrë kurrë përsipër të ishte kuruesi i Bienales së Tiranës.

Fakti se mes artistëve ishte emri i Hamid Piccardo “fotograf i talentuar që Bin Laden e kishte emëruar zëdhënësin e Jihad në art”, por që nuk kishte ekzistuar kurrë, bëri që ky mashtrim i madh të quhej Komploti i Tiranës.

Komploti i Tiranës

Drejtoria Investigative e Antimafias e kundër terrorizmit në Itali në hetimet paraprake të saj, lidhi faktin se Bienalja e Tiranës do të mbahej në shtator e pak ditë pas atentatit në Kullat Binjake e mes artistëve shprehej qartë emri i Osama Bin Laden, fotografia e tij, vepër e fotografit i cilësuar “më shumë një fondamentalist islamik se një artist”.

Pak javë më vonë në shtëpinë e Olivero Toscanit mbërrin një pako e madhe dokumentesh ku cilësohet i hetuar në atë që u quajt “Komploti i Tiranës”.

E vërteta ishte shumë më e thjeshtë; ishte një mashtrim.

Olivero Toscani përmes një adrese emaili që nuk mbaronte me “.com”, sicc ishte origjinali, por me “.it” i kishin vjedhur identitetin, e për më shumë se një vit ishin shkëmbyer adresa emaile mes tij e drejtorit të revistës “Flash Art”, Giancarlo Politi.

Hetimet zbardhën gjithçka qe një mashtrim e vjedhje identiteti me pyetjet që deri sot nuk morën përgjigje;

Si ka mundësi që Tirana zyrtare nuk u kujdes të ketë një kontakt direkt me kuruesin Olivero Toscano?

Komploti i Tiranës
Ne foto: Olivero Toscano

Si është e mundur që ideuesi i Bienales, Politi, u mjaftua me shkëmbime emaili e nuk bëri një telefonatë të vetme fotografit të njohur.

E në këtë “Komplot të Tiranës”, mashtrues e denigrues për Shqipërinë një tjetër element komplotist ishte manifesti i një flamuri karikaturë që në ato vite për Ballkanin, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë njerëzit vriteshin në emër të flamurit.

Komploti i Tiranës

Po kush e realizoi këtë mashtrim të madh?

Hetuesit italianë mundën të gjejnë adresën IP të kompjuterit ku ishin nisur emailet komunikuese, në një apartament në Cogoleto, një qytezë në provincën e Genovas, e banuar nga Marco Lavagetto.

Ishte ai Oliver Toscani fals që kishte shpikur emrat e katër artistëve për Bienalen e Tiranës, e veprat e tyre ishin marrë nga fotokopje e imazhe uebi.

Marco Lavagetto dënohet për vjedhje identiteti në një dënim civile e rrëzohen akuzat penale ndaj tij.

Dëmshpërblen me 30 mijë euro fotografin Olivero Toscano.

Marco Lavagetto është një i apasionuar pas artit e ka një sipërmarrje të vogël që përgatit mbulesat e brendshme për arkivolë.

Fotografi i njohur e me identitetin e vjedhur në “Komplotin e Tiranës”, Oliviero Toscani ndërroi jetë më 13 janar 2025, pra pak ditë më parë.

Mbi këtë ngjarje të harruar me gjasa qëllimisht në Tiranë, në sallat e kinemasë italiane sapo ka dalë dokumentari me të njëjtin emër, “Komploti i Tiranës” i Manfredi Lucibello-s.

Komploti i Tiranës
“Komploti i Tiranës”

Dokumentari sjell dëshminë e vetë Toscanit e është një linjë rrëfimi që mban dy skenare e gjithmonë pyetjen: Mos dhe kjo që po tregojmë është e gjitha një mashtrim?

Bienalja e Tiranës me manifestin, logon, artistët e deformuar, të sajuar e të vjedhur nuk janë të tillë.

E autori që pranoi vjedhjen ndoshta vijon të kryejë ende një mashtrim o komplot qoftë me rrëfimin e tij?

EMISIONET