Komisioni për sistemin TIMS, vijon me dyer të mbyllura marrja e dëshmive
Në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur mbledhja e komisionit hetimor për daljen e të dhënave të sistemit TIMS.
Në rend të ditës është marrja në pyetje e 3 dëshmitarëve, Ardit Muço, ish-përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit; Besjan Tanuzi, ish-drejtor i Sistemeve, në Policinë e Shtetit dhe Ervina Gjana, drejtore e Krimit Kibernetik, në Policinë e Shtetit.
Ardit Muço, ish-përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit kërkoi që dëshminë e tij ta jepte me dyer të mbyllura.
“Mbrojtja e të drejtave të mia për respejtimin e jetës private, për garantimin e sigurisë time fizike, si dhe për shkak të informacioneve të klasifikuara”, deklaroi ai.
Kryetari i Komisionit të Sigurisë Ervin Salianji kërkoi që të ishte me dyer të hapura.
“Duhet ta marrim në konsideratë edhe pse unë mendoj se të gjitha dëshmitë duhet të jenë me dyer të hapura, sepse nuk ka ndonjë sekret shtetëror.
Pretendimi është që nuk ka dalë asnjëherë në publik”, tha Salianji.
Nënkryetari, deputeti i PS, Toni Gogu kërkoi që të mos humbet kohë me debate të kota, por të vijohet me marrjen në pyetje të dëshmitarëve e sipas kërkesave të tyre, që të jenë me dyer të mbyllura për ruajtjen e informacioneve të ndjeshme.
“Më duhet të përsëris veten se sa më shumë kohë harxhojmë me veten, aq më shumë kohë i marrim, është e panevojshme, që ky komision të krijojë një tragjikomedi.
Neve nuk na ka ngarkuar njeri që të sekretojmë informacionet. Tragjike është kur shkelet ligji në emër të zbatimit të ligjit. Komikja është të bësh të çuditurin.
Ju e mendoni shtetin që prokurorin edhe OPGJ t’i shikoni çdo natë në televizor. Ju keni tallavanë e qytetarit digjital.
Të mos bëjmë ‘Lizën në botën e çudirave’. Meraku ynë është si të zbatohet ky ligj dhe të kuptojmë si është shkelur e duhet përmirësuar”, deklaroi Gogu.
Pas diskutimit, Komisioni vendosi që dëshmia të vazhdojë me dyer të mbyllura.