Komisioni i Ligjeve rrëzon projektligjin e deputetes/ Tabaku: Liria e shprehjes nuk mund të trajtohet në mënyrë selektive

Me votat e shumicës socialiste, Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike rrëzoi projektligjin për ndryshime në Kodin Penal, të propozuar nga deputetja Jorida Tabaku.
Nëntë deputetë të mazhorancës votuan kundër nismës që synonte, ndër të tjera, dekriminalizimin e plotë të fyerjes dhe shpifjes.
Projektligji, i iniciuar nga deputetja e PD-së Jorida Tabaku, parashikonte heqjen e ndjekjes penale për veprat e fyerjes dhe shpifjes, aktualisht të sanksionuara në nenet 119 dhe 120 të Kodit Penal.
Po ashtu, propozimi përfshinte ndryshime në disa nene të tjera, përfshirë 237, 238 dhe 261, me qëllim forcimin e mbrojtjes ligjore të gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë ushtrimit të detyrës.
Në prezantimin e saj para Komisionit, Tabaku theksoi se nisma ishte rezultat i më shumë se tre muajve punë dhe konsultimesh me përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe ekspertë vendas e ndërkombëtarë. Sipas saj, drafti mbështetej në progres-raportet e Bashkimit Evropian, dokumentet e Këshillit të Evropës dhe në praktikat më të mira europiane për lirinë e shprehjes.
Deputetja e opozitës argumentoi se përdorimi i instrumenteve penale për fyerjen dhe shpifjen krijon një efekt frenues për gazetarinë dhe debatin publik, duke cenuar një nga shtyllat themelore të demokracisë.
Ajo solli në vëmendje edhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila rekomandon zhvendosjen e mbrojtjes së reputacionit nga fusha penale në atë civile.
Tabaku përmendi gjithashtu se disa vende të rajonit, si Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, e kanë dekriminalizuar tashmë shpifjen.
Nga ana tjetër, relatori i çështjes, deputeti socialist Olsi Komici, propozoi rrëzimin e nismës pa dhënë argumente të detajuara.
Më pas, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, sqaroi se shumica sugjeron rrëzimin e projektligjit në parim, pasi shqetësimet e ngritura nga opozita, sipas tij, janë reflektuar në një draft të qeverisë.
Më herët, kryeministri dhe njëherësh kryetar i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar se mbështet dekriminalizimin e shpifjes vetëm për gazetarët, qëndrim që u ripërsërit edhe nga përfaqësuesit e mazhorancës në Komision.
Këtë qasje, Tabaku e kundërshtoi ashpër, duke theksuar se liria e shprehjes nuk mund të trajtohet në mënyrë selektive.
“Liria e shprehjes nuk është privilegj profesional, por një e drejtë universale,” deklaroi ajo.
Pavarësisht rrëzimit të nismës, deputetja e PD-së theksoi se beteja për lirinë e medias dhe kundër padive SLAPP do të vijojë, duke kërkuar që propozimet e saj të merren parasysh në çdo ndryshim të ardhshëm ligjor.
Sipas saj, kjo çështje përbën një test të rëndësishëm për vullnetin e shumicës në raport me integrimin europian dhe respektimin e standardeve të shtetit të së drejtës.


