Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos takim me Peleshin në Kuvend: Mbështetje e plotë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos takim me Peleshin në Kuvend:

Komisionerja për Zgjerim të Bashkimit Europian, Marta Kos, zhvilloi sot një takim zyrtar në Kuvendin e Shqipërisë me Kryetarin e Kuvendit, z. Niko Peleshi, për të diskutuar mbi ecurinë e procesit të integrimit europian dhe prioritetet pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave.

Gjatë takimit, Komisionerja Kos vlerësoi progresin e dukshëm të Shqipërisë në reformat kyçe dhe në përmbushjen e standardeve të BE-së.

“Është e lehtë të mbështesësh Shqipërinë për shkak të performancës së lartë. Zgjerimi e bën Europën më të fortë. Shqipëria në vitet e fundit ka bërë një punë të shkëlqyer. Vlerësojmë shumë mbështetjen popullore dhe konsensusin politik e parlamentar për integrimin në BE,” u shpreh ajo.

Peleshi theksoi se integrimi europian mbetet objektivi kryesor strategjik i Shqipërisë. “Integrimi evropian ka rrënjë në historinë dhe identitetin tonë, në moton e rilindasve ‘për Shqipërinë dielli lind nga perëndon’. Kuvendi do të vazhdojë të garantojë legjitimitetin demokratik, transparencën dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit. Si Kryetar i Kuvendit, do të mbështes aksesin dhe kontributin e opozitës dhe qytetarëve në integrim,” deklaroi ai.

Në takim morën pjesë edhe Nënkryetari i Kuvendit, z. Agron Gjekmarkaj, si dhe Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani. Z. Gjekmarkaj riafirmoi mbështetjen e opozitës për rrugën europiane të vendit, duke vënë theksin te domosdoshmëria e forcimit të standardeve demokratike.

Takimi u mbyll me angazhimin e përbashkët për të vijuar me ritëm të qëndrueshëm procesin e negociatave dhe për të thelluar bashkëpunimin me institucionet europiane.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos takim me Peleshin në Kuvend:Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos takim me Peleshin në Kuvend:Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos takim me Peleshin në Kuvend:

 

EMISIONET