Koçiu: Rritje pagash për 12 432 punonjës të Policisë së Shtetit, investime në inovacion

Ministrja për Punët dhe Çështjet e Brendshme, Albana Koçiu, në fjalën e saj sot në Kuvend, tha se “kemi buxhetin më të lartë historik për ministrinë e Punëve të Brendshme”.
Koçiu nënvizoi se ky është një buxhet që na lejon të ngremë në një nivel të ri standardet e sigurisë për qytetarët.
Ministrja u shpreh më tej se “do të mbështesim fuqimisht teknologjinë, digjitalizimin dhe automatizmin”.
“Do të çojmë para projektin transformues të vendosjes së kamerave inteligjente të sigurisë në 20 qytetet më të mëdha të vendit si dhe pikat strategjike, akset rrugore kryesore dhe shkollat.
Monitorimi automatik jo vetëm do të zbardhë por edhe do të parandalojë në mënyrë efikase të gjitha llojet e shkeljeve që lidhen me rendin qetësinë, respektimin e rregullave”, tha ajo.
Përtej projekteve të veçanta, Koçiu tha se “buxheti i vitit 2026 ka lajmë të mira edhe për efektivët dhe punonjësit në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.
“Për 12 432 punonjës të Policisë së Shtetit, për 1491 punonjës të Gardës së Republikës, 1 389 punonjës të Shërbimit Zjarrfikës, 181 punonjës Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe të gjithë ata punonjëse të institucioneve të varësisë, lajmi i mirë është rritja e pagave që ky buxhet parashikon.
“Një inspektor i thjeshtë, nga një pagë 80,500 lekë që paguhet sot, me të gjitha shtesat, paga do të shkojë në 100,000 lekë. Për një nënkomisar, paga nga 95,500 lekë do të shkojë në 116,000 lekë; për një komisar, me të gjitha shtesat, nga 105,000 shkon në 125,600 lekë dhe për një kryekomisar, nga 115,500 lekë në 136,000 lekë”, tha ajo.
Koçiu shtoi se “buxheti do të mbështesë dhe kapacitete teknike të policisë së shtetit. Do të vendosim në duart e efektivëve tanë pajisje më të avancuara dhe kapacitete më të sofistikuara në dispozicionin”.
“Ky buxhet do të mbështesë pa kushte avancimin e shpejtë të negociatave sidomos për kapitujt që Ministria e Punëve të Brendshme mbulon, kapitujt 23 dhe 24”, tha ajo.
Sipas Koçiut, buxheti për vitin 2026 “rrit standardet e rendit dhe sigurisë dhe mbështet listën e detyrave të shtëpisë sa i përket mbylljes së negociatave brenda 2027”.

