Këlliçi dëgjon hallet e qytetarëve, kandidati për Bashkinë Tiranë ndan projektin me banorët e njësisë 11
Belind Këlliçi vijoi edhe këtë të premte takimet ballë për ballë me qytetarët e Tiranës për shqetësimet me të cilat përballen. Në njësinë 11, banorët u ankuan për ujin e gjendjen e rrugëve, ndërsa kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë u kërkoi mbështetje me votë për të ndryshuar gjendjen pas zgjedhjeve të 14 majit.
Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për bashkinë e Tiranës eci mes banorëve të të zonës 3 të njësisë Administrative 11 të Tiranës për të mësuar problematikat me të cilat përballen.
Mungesa e ujit të pijshëm dhe rrugët me baltë, ishin shqetësime që i ngritën shumë qytetarë.
Banorë të 50 shtëpive shtëpive që pritet të shemben për shkak të projektit të Unazës së Madhe i ngritën shqetësim pasigurinë se çfarë do të ndodhë me ta më pas.
"Kam kërkuar dhe unë informacion në bashkinë Tiranë për projektin këtu dhe nuk marr përgjigje. Nuk e di njeri se çfarë do të ndodhë me pronën e tyre."
Dëgjoi dhe vështirësitë e biznesit të vogël. Pasi mësoi shqetësimet, Belind Këlliçi, u prezantoi projektin e tij për drejtimin e Bashkisë Tiranë si zgjidhje.
U kërkoi mbështetjen me votë më 14 maj, për të sjellë ndryshimin e premtuar në kryeqytet.