Josifi: 405,6 milionë lekë për KQZ-në në projektbuxhetin 2026, prioritet teknologjia e informacionit

Josifi: 405,6 milionë lekë për KQZ-në në

Drejtoresha e përgjithshme e Administrimit Zgjedhor, Jona Josifi, prezantoi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale projektbuxhetin për vitin 2026 për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Për KQZ-në, janë parashikuar 405,6 milionë lekë, nga të cilat 187,3 milionë shpenzime për paga dhe sigurime shoqërore, 105,2 milionë shpenzime për mallra dhe shërbime, 48,5 milionë është zëri i transfertës dhe 64,6 milionë janë shpenzime për investime.

Josifi nënvizoi se, “sa i takon programit të zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore kemi patur realizim 75% në shpenzime korente, ndërsa në investime 95%”.

“Gjatë këtij viti, KQZ ka qenë e angazhuar për zhvillimin e zgjedhjeve të 11 majit dhe zgjedhjeve të pjesshme të 9 nëntorit, kryesisht prioritete tona kanë qenë kuadri rregullator dhe ai i akteve nënligjore”, tha ajo.

Josifi theksoi se dy janë prioritetet kryesore të KQZ-së: sistemet e teknologjisë së informacionit dhe ngritja kapaciteteve në kuptim të infrastrukturës.

Gjithashtu, shtoi Josifi, “jemi aktualisht duke ndërtuar kompleksin e ri të magazinave të KQZ-së. Fondi Shqiptar i Zhvillimit po e bën këtë për llogarinë tonë dhe do të duhet ta çojmë më tej këtë investim për vitin e ardhshëm”.

“Një tjetër investim do të jetë standardizimi i informacionit zgjedhor ndër vite, sipas standardeve të Open Data, i aksesueshëm  për të gjithë”, tha Josifi.

Josifi theksoi gjithashtu se “nga kërkesat tona në këtë projektligj të buxhetit të 2026-ës ka mbetur ende një pjesë e paadresuar në shpenzime korrente, në vlerën 55 milionë lekë, ajo është kryesisht për mirëmbajtje sistemesh. Na nevojitet kjo shumë për të mbajtur mirëmbajtjen konstatonte të këtyre sistemeve”.

EMISIONET