Iu mbaron mandati, "Ligjet" hapin vakancën për 5 anëtarët e Komisionit Rregullator në KQZ! 20 ditë kohë për kandidatët

Komisioni i Ligjeve ka hapur vakancën për 5 vendet e Komisionit Rregullator ( 2 PD dhe 3 PS), një nga tre shtyllat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për shkak se iu mbaron mandati më 5 Tetor.

Vakanca u kap edhe për zëvendësimin e Lealba Pelinkut, nënkomisioneren e PD-së. Rregullatori aktual do të vijojë përtej 5 Tetorit deri kur të zgjidhen kandidatët e rinj, të cilët do të kenë afat 20 ditë kohë për të paraqitur dokumentet.

Për të përshpejtuar procesin, Komisioni i Ligjeve ngriti një grup pune me tre anëtarë, me qëllim përgatitjen dhe përmbylljen e procedurës në kohë, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 9 nëntor në 6 bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën.

Socialistët propozuan si dy anëtarët e saj Damian Gjiknurin dhe Ermal Pacajn, ndërsa anëtari tjetër do të propozohet nga opozita mbledhjen e ardhshme.

Kryetari Ulsi Manja tha se gara do të duhej të ishte hapur më herët, por u vonua për shkak se Kuvendi nuk ishte konstituuar.  

"Komisionit Rregullator në KQZ i mbaron mandati më 5 tetor. Duhet ta kishim hapur garën 30 ditë përpara, por Kuvendi nuk ishte konstituar. Hapim menjëherë garën. Kandidatët mund të propozohen dhe të vetë ofrohen.", theksoi Manja.

Nga ana e tij, Damian Gjiknuri nënvizoi rëndësinë e përshpejtimit të procedurës për shkak të afërsisë me zgjedhjet:

“Ka një lloj urgjence për shkak edhe të zgjedhjeve. Do mbështeten nga grupime politike. Të procedojmë shpejt. Brenda seancës së radhës t'a kalojmë. Të ngremë që sot një nënkomision për vlerësimin e kandidatëve. Rregullatori i ri do përgatisë aktet për zgjedhjet e parakohshme“, shtoi Gjiknuri.

Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, propozoi që anëtarët aktualë të vijojnë në detyrë deri në zgjedhjen e pasuesve, duke argumentuar se ata janë garancia e vetme e opozitës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 9 nëntorit.

Saimir Korreshi propozoi që anëtarët aktualë të vijojnë në detyrë deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj, pasi sipas tij, është garancia e vetme e opozitës në KQZ për zgjedhjet që do mbahen në disa bashki më 9 Nëntor, përfshirë Tiranën. Ndërsa Oerd Bylykbashi, teksa theksoi rëndësinë e shpejtimit të këtij procesi, vijoi me akuzat se dekreti i djeshëm i presidentit Bajram Begaj është antikushtetues dhe nul.

“Pa u shprehur Gjykata Kushtetuese nuk mund të ketë zgjedhje të pjesshme në këto bashki. Sa i takon Rregullatorit, duhet të ndodhë patjetër. Me urgjencë. Të gjenden procedurat për aksesin e kandidatëve që duan të kandidojnë, edhe transparencën. T'a nisim menjëherë. Të ruhet balanca brenda kësaj trupe.”, tha Bylykbashi.

EMISIONET