Investigimi i ''RAI3'' për Shqipërinë, reagon kryeministrja Meloni: Rama u linçua sepse ndihmoi Italinë me emigrantët

Investigimi i ''RAI3'' për Shqipërinë, reagon

Kryeministria e Italisë Giorgia Meloni ka reaguar lidhur me emisionin “Report” të RAI3, në të cilën u kritikua marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Rama u lincua sepse ndihmoi Italinë me emigrantët”, tha Meloni në Pescara gjatë konventës në të cilën shpalli kandidaturën e saj në zgjedhjet evropiane të 8 dhe 9 qershorit, raportojnë mediat italiane.

“Për emigrantët bëmë marrëveshje me Edi Ramën, e majta propozoi ta përjashtonte nga socialistët europianë në vend që ta falënderonin se kishte vepruar në emër të solidaritetit europian, por zgjodhën ta linçonin.

Organizuan një dokumentar për Shqipërinë në të cilin e portretizonin si një narko-shtet.

Solidaritet me Ramën, Tiranën dhe gjithë popullin shqiptar”, tha më tej Meloni.

Kujtojmë që në investigimin e “Rai 3”, u publikuan dokumente dhe informacione që sipas emisionit “Report”,  eksponentë të rëndësishëm të qeverisë “Rama” janë të lidhur me botën e krimit dhe të korrupsionit.

Sipas investigimit të RAI3 njeriu kyç në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantet është Sekretari i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, i cili ka mbrojtur më parë njerëz të botës së krimit.

Ky i fundit ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj emisionit.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama në një intervistë për “Corriere”, e ka quajtur “emision i shpifur” dhe “investigim paragjykues” materialin e transmetuar në “Rai3” mbi marrëveshjen për emigrantët.

Rama thotë se në lidhje me këtë çështje nuk ka folur me homologen italiane, Meloni.

“Nuk kam folur me Giorgia Melonin, sepse e imja është një betejë për të vërtetën dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Kryeministrja juaj nuk ka asnjë lidhje me të, edhe pse vendi im u tërhoq në këtë valle si një objektiv kolateral i sulmit kundër qeverisë së saj”, tha Rama për gazetën italiane.

 

EMISIONET