Burgosja e Salianjit/ “Ndërkombëtarët po flasin”, Gjekmarkaj: Institucionet e drejtësisë refuzojnë komisionin “Xhafaj”
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka komentuar mos marrjen pjesë të SPAK, ILD, Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë në Komisionin Anti-Korrupsion, të krijuar nga PS dhe do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj. Gjekmarkaj shkruan se ky ishte reagimi i parë pas burgosjes së Ervin Salianjit dhe se ndërkombëtarët po flasin.
"Reagimi i parë pas burgosjes së deputetit Ervin Salianji është i qartë, ndërkombëtarët po flasin. Institucionet e drejtësisë si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe SPAK e refuzojnë komisionin Xhafa.", shkruan Gjekmarkaj në postimin e tij në Facebook.
SPAK në përgjigjen pas interesimit të mediave ka theksuar se prokurorët unanimisht kanë vendosur që nuk është e nevojshme pjesëmarrja në nivel ekspertësh. Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë më herët ditën e sotme ka refuzuar pjesëmarrjen në Komisionin Anti-Korrupsion.
Pas Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë së Posaçme, ILD-ja është bërë institucioni i tretë që ka refuzuar të marrë pjesë në këtë Komision. Edhe Gjykata e Lartë ka shprehur se nuk do të marrë pjesë në Komisionin Antikorrupsion të Partisë Socialiste. Në letrën drejtuar Fatmir Xhafajt, firmosur nga kryetari i gjykatës së Lartë Sokol Sadushi argumentohet se nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme në përmbushje të misionit të Komisionit të Posaçëm por se janë gati të japin opinionin.
Në Komisionin, që drejtohet nga deputeti Fatmir Xhafaj, nuk ka marrë pjesë asnjë deputet i opozitës. Xhafaj, pas rekomandimeve të ambasadës amerikane, në kërkesën e tij drejtuar institucioneve që ushtrojnë funksione në fusha me risk për korrupsion të përcaktojnë përfaqësuesit e tyre që do të veprojnë pranë nëngrupeve të komisionit. Ditën e djeshme dhe Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ftesën e Kuvendit për tu bërë pjesë e Komisionit Anti-Korrupsion.