Inceneratori i Tiranës/ Shtyhet seanca për Alqi Bllakon, ja ç'deklaroi ish-deputeti i PS në gjyq

Seanca gjyqësore për Alqi Bllakon është shtyrë më datë 11 Mars në orën 13:30.
SPAK ka kërkuar për ish sekretarin e ministrisë së Mjedisit dënimin me 3 vite e 4 muaj burg me gjykim të shkurtuar për inceneratorin e Tiranës.
Përballë gjykatës, Bllako pretendoi se është i pafajshëm. “Kam respekt dhe vlerësoj punën tuaj, por deklarohem i pafajshëm. Unë në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit nuk kam patur asnjë rol për dhënien e koncesionit të inceneratorit” tha ai.
Prokuroria pretendon se Bllako është i përfshirë në dy raste korruptive duke përfituar rreth 120 mijë euro për të favorizuar biznesmenët Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.
Ndërsa rasti tjetër korruptiv lidhet me punësimin e një personi si këshilltar i jashtëm i ministrit të mjedisit Lefter Koka, që është paguar në total me 75 milionë lekë nga Mërtiri e Zoto dhe në këmbim i ka ndihmuar për plotësimin e dokumentacionit për ndërtimin e inceneratorit.
Bllako: Së pari, linja e pretenduar, e blerë prej kompanisë Italiane “IC Filling Systems” siç rezulton nga email-et e administruara, është një linjë Micro, pra për nivel testimi.
Së dyti, siç rezulton nga emaili i datës 15.01.2017, linja në fjalë është blerë për kompaninë “Artemis Farm” dhe JO për fabrikën e familjes time, kontrata është lidhur midis kompanisë “Artemis Farm” dhe kompanisë Italiane “IC Filling Systems” dhe pagesa është bërë nga kompania “Artemis Farm” për kompaninë “IC Filling Systems”.
Së treti, siç rezulton edhe nga kqyrja e bërë në fabrikën e familjes time, kjo fabrikë e zotëronte një linjë me kapacitet të përafërt , plotësisht funksionale, që prej vitit 1999 dhe NUK kishte nevojë për një linjë të dytë testimi.
Së katërti, siç rezulton nga email-et e administruara, linja Micro e blerë nga “Artemis Farm” prej kompanisë “IC Filling Systems” deri në fillim të vitit 2018 NUK kishte përfunduar ende testimet dhe nuk ishte vendosur ende në punë, ndërkohë, po në vitin 2018, kompania e familjes time porosit në Republikën Çeke, pranë kompanisë Raveco s.r.o. Linjën e saj për mbushje, taposje, vulosje dhe etiketim. (Gjeni bashkëlidhur kontratën e lidhur më kompaninë Çeke, Raveco s.r.o për linjën në fjalë)
Linja e blerë nga kompania Çeke, Raveco s.r.o. është paguar nga kompania e familjes time me transferta të rregullta bankare, është zhdoganuar dhe sot gjëndet tek fabrika e birrës.
Nëse linja e blerë prej kompanisë Italiane “IC Filling Systems” do të ishte për kompaninë e familjes time, pse duhej kjo e fundit të blinte në vitin 2018 linjën e saj pranë kompanisë Çeke, ndërkohë që siç rezulton e provuar, linja e blerë prej kompanisë italiane nuk ishte vënë ende në punë deri në vitin 2018.
Bllako shtoi duke pyetur " pse i duhej kompanisë së familjes timë një linjë Micro për nivel testimi, ndërkohë që një linjë me kapacitet të tillë e kishte plotësisht funksionale që prej vitit 1999?

