Hetimi parlamentar/ SPAK dha lejen, ish-zv.ministri Rrjepaj dëshmon për "Sterilizimin" në Komisionin e Posaçëm

Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, i cili ndodhet në qeli për koncesionin e sterilizimit, eshte paraqitur ne Kuvend ku do të dëshmojë sot në Komisionin Hetimor Parlamentar të Shëndetësisë.

Në fjalën e tij, Rrjepaj tha se janë një sërë elementësh që përbëjnë projektin, që quhet rëndom sterilizimi, ndërsa ka dhënë detaje lidhur me të gjithë procesin.

“Sterilizimi është vetëm një komponent nga i gjithë procesi”, tha Rrjepaj.

Ish-zv.ministri i Shëndetësisë ka drejtuar dy komisione për koncensionet e Check Up dhe Sterilizimit, ndërsa tha se detyrën për të drejtuar komisionin për procedurat koncensionare për Sterilizimin e ka marrë në gusht 2014.

Po ashtu, ai tha se nga 2009 deri në 2012 ka qenë shef i kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë, ndërsa më pas ka qenë zv.ministër i Shëndetësisë.

“Jam në dijeni të masterplanit të QSUT të përgatitur nga një kompani gjermane, Top Consult”, tha Rrjepaj, i cili pohoi se ka pasur një investim në repartin qendror të sterilizimit, por nuk pati një dorëzim me “çelësa në dorë” për projektin, duke përfshirë të gjithë komponentët.

Për centralin e sterilizimit, Rrjepaj tha se: "Pjesa e investimit për pajisje teknologjike ishte 0.8 mln euro, ndërsa përsa i takon infrastrukturës ishte rreth 0.6 mln euro", u shpreh Rrjepaj.

LEJA NGA SPAK

Prokuroria e Posaçme ka dhënë lejen që Rrepaj të lërë qelinë e paraburgimit dhe paraqitet fizikisht në komisionin në orën 10:00 për t’u marrë në pyetje për koncesionin e sterilizimit në Kuvend. Ai do të shoqërohet nga forcat e policisë.

Kjo është hera e parë që një i paraburgosur merret në pyetje nga deputetët. Po ashtu, do merren në pyetje edhe dy prej anëtarëve të komisionit që shpalli fituesin e koncesionit, Marsela Serjani dhe Petro Mersini. Të dy janë në masë detyrim paraqitjeje, por edhe për ta SPAK ka dhënë leje që të pyeten nga Komisioni.

Me interes është dëshmia më 3 tetor, e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, në hetim nga SPAK për koncensionin e sterilizimit, por njëkohësisht me masë arresti me burg për një tjetër hetim ndaj tij, atë të abuzimit me fondet e BE kur drejtonte agjencinë SASPAC.

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është nën hetim nga SPAK prej një viti, si i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check-up. Deri tani, për koncesionin 100 milionë euro në burg janë lënë ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

EMISIONET