Hasani në Forumin e Dubrovnikut: Përkushtimi ynë ndaj paqes mbetet i palëkundur

Hasani në Forumin e Dubrovnikut: Përkushtimi ynë ndaj paqes

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, mori pjesë në Forumin e Dubrovnikut 2025.

Në një postim në rrjetet sociale, Hasani tha sot se “mesazhi i qartë nga Evropa Juglindore në përfundim të Forumit të Dubrovnikut është që përkushtimi ynë ndaj paqes mbetet i palëkundur”.

“Lufta e Ukrainës na kujton se paqja duhet mbrojtur dhe jo të merret si e mirëqenë.

Rikonfirmojmë qëndrimin tonë ndaj solidaritetit, qëndrueshmërisë dhe ndaj një Evrope të bashkuar”, tha Hasani.

Hasani shprehu mirënjohje ndaj ministrit për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman, për mikpritjen me qëllim dhe vizion.

Ditën e djeshme në prani të përfaqësuesve të lartë nga rajoni, Evropa dhe më gjerë, përfshirë SHBA-në, Gjirin, Brazilin dhe Afrikën, ministri Hasani theksoi në fjalën e tij në Forumin e Dubrovnikut se “Ballkani Perëndimor nuk mund të trajtohet më si periferia e kontinentit, ai është pjesë thelbësore e së ardhmes strategjike të Evropës”.

“Shqipëria ka hapur katër grup-kapituj negociues, përfshirë kapitujt themelorë dhe tregun e brendshëm dhe se rruga drejt BE-së është strategjike, e pakthyeshme dhe e mbështetur në reforma të qëndrueshme”, tha Hasani.

EMISIONET