Gonxhja: 203 nxënës përfunduan vitin e parë të arsimit profesional dual

Gonxhja: 203 nxënës përfunduan vitin e parë të arsimit

Arsimi profesional është kthyer në një shtyllë të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë kombëtare dhe për përgatitjen e fuqisë punëtore që i përshtatet kërkesave reale të tregut.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale tha se “203 nxënës përfunduan vitin e parë të arsimit profesional Dual në 5 profile mësimore. Ndërsa ka pasur 114 biznese partnere dhe 124 mentorë në biznes”.

“Nxënësit punësohen dhe paguhen që në bankat e shkollës, duke fituar aftësi praktike dhe eksperiencë pune të vlefshme”, tha Gonxhja. Sipas tij, bizneset po rrisin kapacitetet e tyre didaktike, duke u bërë pjesë aktive në formimin profesional të të rinjve.

“Bazuar në praktikat më të mira zvicerane dhe gjermane, arsimi profesional dual lidhet ngushtësisht me nevojat e tregut të punës si një kërkesë e vazhdueshme nga vetë bizneset, që kërkojnë fuqi punëtore të kualifikuar”, nënvizoi Gonxhja.

Gonxhja bëri të ditur se regjistrimet për klasën e 10-të në arsimin profesional dual do të nisin në korrik.

Arsimi profesional po fiton gjithnjë e më shumë terren si një alternativë realiste dhe e dobishme për të rinjtë shqiptarë. Ai lidhet ngushtë me nevojat e tregut të punës, duke ofruar aftësi konkrete dhe të menjëhershme për punësim në fusha si teknologjia, bujqësia, industria përpunuese, turizmi, ndërtimi dhe shërbimet teknike.

Për t’iu përgjigjur më së miri kërkesave të epokës së re në të cilën ka hyrë arsimi profesional në Shqipëri, por edhe një kërkese të vazhdueshme të biznesit, qeveria ka ndërmarrë nismën për zbatimin e sistemit dual, duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare.

EMISIONET