GJKKO firmosi masën "arrest shtëpie" ndaj saj, Ajola Xoxa ndodhet jashtë vendit

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme është firmosur masë sigurie "arrest me burg" ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa është vendosur masa e "arrestit në shtëpi".
Mësohet se Xoxa prej dy ditesh ndodhet jashtë vendit, konkretisht në Romë të Italisë. Zyrtarët e SPAK dhe BKH-së kanë zbarkuar ditën e sotme në Bashkinë e Tiranës dhe kanë shoqëruar Veliaj për në komisariat.
Mëngjesin e 6 dhjetorit me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa më parë i kishin sekuestruar dhe telefonin celular.
Kontrolle u ushtruan dhe në banesën e vëllait të Veliajt. Vetë Prokuroria e Posaçme nuk dha detaje, por u mjaftua të shpjegojë se ka kryer disa "veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal".
Ndaj Veliajt ka nisur një hetim pasuror, ndërsa po shihet dhe roli i tij në rastin e inceneratorit të Tiranës si dhe në çështjen e kompanisë "5D", që zotërohej nga ish-drejtorë të Bashkisë. Veliaj reagoi në mbrëmje të premten duke deklaruar se mbështet në çdo hap veprimet e Prokurorisë.

