FOTO+VIDEO/ Presidenti Begaj takim online me efektivët e FA: Mirënjohje dhe urime për ushtarakët shqiptarë në misione ndërkombëtare
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim online me efektivët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FARSH) që shërbejnë në misione dhe operacione jashtë vendit. Gjatë këtij komunikimi të veçantë, ai përcolli urimet për Vitin e Ri 2025 dhe vlerësoi kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale.
Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj shprehu mirënjohje të thellë për përkushtimin dhe profesionalizmin që efektivët shqiptarë tregojnë në misionet ndërkombëtare. “Ju jeni ambasadorët më të mirë të Shqipërisë dhe falë shërbimit tuaj, flamuri kombëtar valëvitet kudo me krenari përkrah flamujve të tjerë të NATO-s,” deklaroi Presidenti.
Efektivët shqiptarë janë aktualisht të angazhuar në disa rajone të botës, nga Kosova dhe Bosnja, deri në Sudanin e Jugut dhe Irak, duke dëshmuar angazhimin e vendit tonë ndaj paqes dhe sigurisë globale.
Presidenti theksoi rëndësinë e përmirësimit të kushteve për Forcat e Armatosura, duke nënvizuar se buxheti i mbrojtjes është rritur për vitin 2024. Ai shprehu bindjen se mbështetja për ushtarakët dhe familjet e tyre është një detyrim kombëtar.
Duke u ndalur tek agresioni rus ndaj Ukrainës, Presidenti Begaj vuri në dukje se ky konflikt ka ndryshuar tërësisht mjedisin e sigurisë. Ai theksoi nevojën për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kontributeve të Shqipërisë në NATO.
Në përfundim të takimit, Presidenti Begaj uroi të gjithë ushtarakët dhe familjet e tyre për Vitin e Ri 2025. “Gëzuar dhe shëndet e të mira për secilin nga ju, për familjet tuaja, për kombin shqiptar!” tha ai, duke shprehur falënderimet e tij për shërbimin e tyre të palodhur.
Kjo nismë vjen si një dëshmi e vlerësimit të lartë të kontributit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare dhe të përkushtimit të institucioneve për përmirësimin e vazhdueshëm të mbështetjes për efektivët që shërbejnë larg vendit.
Fjala përshëndetëse e Presidentit te Republikës
Të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë,
Është kënaqësi e veçantë për mua të takohemi sot në këtë format online për të uruar nga zemra:Gëzuar, një vit të mbarë për ju dhe familjet tuaja!
Në fakt, festa e Vitit të Ri është një festë që mbledh familjet, i bën bashkë. Ju të gjithë,fizikisht jeni larg familjeve tuaja, larg njerëzve tuaj të dashur, por unë ju siguroj se, si unë, si Shtabi i Përgjithshëm, si Ministria e Mbrojtjes, jemi në mbështetjen tuaj. Jujeni në mendjet dhe zemrat tona.
Gëzimi dhe ngrohtësia familjare i takon festave të fundvitit dhe ju duhet të ishit pranë familjeve, por sot gjendeni në një mision më të rëndësishëm, në një detyrë që është në shërbim tëatdheut për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe lirisë. Kombi ju ështëshumë mirënjohës.
Shqipëria është një vend i vogël, por me kontribute të mëdha për paqen dhe sigurinë. Vetë prezenca dhe shërbimi juaj,nga Kosova, në Bosnjë, nga Bullgaria, Letonia, Deti Egje, Irak, Sinai dhe deri në Sudanin e Jugut,është dëshmi e qartë e angazhimit dhe përkushtimit të vendit tonë ndaj paqes dhe sigurisë jo vetëm në rajon, por në mbarë botën.
Gjatë vitit që po lëmë pas, unë, në të gjitha vizitat që kam bërë jashtë vendit, jam takuar edhe me kontingjentin tonë që shërben në misione dhe kudo ku kam shkuar jam ndjerë jashtëzakonisht i mbushur dhe krenar për fjalët e mira dhe fjalët e jashtëzakonshme të thëna në adresën tuaj për punën dhe përkushtimin tuaj, për profesionalizmin që ju tregoni atje ku jeni me mision. Kuptohet, misioni kërkon përgjegjshmëri të lartë dhe ju e keni përmbushur atë.
Ju jeni ambasadorët më të mirë dhe, falë shërbimittuaj, flamuri kombëtar që ne pamë të valëvitet, valëvitet kudo me krenaripërkrah flamujve të tjerë të NATO-s.
Agresioni Rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar tërësisht mjedisin e sigurisë. Kërcënimet e vjetra dhe të reja parashikojnë dhe parashtrojnë domosdoshmërinë e zhvillimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura.
Gjatë vitin 2024, në bisedat që kam bërë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe me Ministrin e Mbrojtjes, jam informuar se buxheti i mbrojtjes është rritur dhe po kështu është rritur edhe ajo që është më e rëndësishme, mbështetja për ushtarakët. Unë besoj se është detyrim mbështetja për të gjithë ushtarakët dhe familjarët e tyre.
Dinamikat gjeopolitike kërkojnë rritjen e kontributeve tona në NATO dhe forcimin e solidaritetit tonë. Shqipëria do të vazhdojë të jetë kontributore aktive me pjesëmarrjen e saj në misione dhe operacione kudo ku të kërkohet dhe sa herë të kërkohet.
Edhe njëherë, ju uroj nga zemra gëzuar Vitin e Ri! Gëzuar dhe shëndet e të mira për secilin nga ju, për familjet tuaja, për kombin shqiptar! Shumë faleminderit për shërbimin tuaj!




