"Fitime private, pasoja publike." - Bora Mema: Demokratizimi i fitimit, e vetmja mënyrë për të garantuar dinjitet

"Fitime private, pasoja publike." - Bora Mema: Demokratizimi i

Një nga iluzionet më jetëgjata të kapitalizmit është se na ka bindur që pasuria është thjesht rezultat i talentit, aftësive, punës dhe meritës. Narrativa është e njohur: ata të cilët “ia kanë dalë mbanë”, e meritojnë suksesin dhe pasurinë e tyre, ndërsa ata që mbeten pas, thjesht duhet të përpiqen më shumë, apo të ndërmarrin më shumë rrezik. Është një histori mjaft komode për ata që janë të suksesshëm, por që shkurajon gjithkënd tjetër.

Por, Bora Mema – studiuese e ekonomisë politike globale – na kujton se fitimet nuk janë kurrë çështje krejtësisht private. Ndërsa fitimi shkon tek pronarët e bizneseve të mëdha, aksionerët, apo drejtuesit e rëndësishëm ekzekutivë, pasojat e këtij fitimi – ndotja, shfrytëzimi dhe paqëndrueshmëria ekonomike – i lihen shoqërisë.

Përfytyroni investimet spekulative në tregun e pronave, ku ndërtuesit e mëdhenj regjistrojnë fitime, ndërsa banorët e qytetit shohin se si rriten qiratë dhe lagjet në të cilat kanë banuar, bëhen të pajetueshme. Teksa fitimi kufizohet në pak duar, pasojat kthehen në barrë për shumicën e shoqërisë.

Bora Mema shprehet në Apostrof Podcast se, pikërisht për këto arsye, angazhimi politik i kujtdo është i domosdoshëm. Nëse fitimet mbeten private, ndërsa pasojat e tyre duhen mbajtur nga shoqëria, atëherë shoqëria ka çdo të drejtë të kërkojë të ketë një zë në mënyrën se si këto fitime gjenerohen, shpërndahen dhe taksohen.

Sipas saj, “demokratizimi” i fitimeve nuk nënkupton thjesht rishpërndarje të pasurisë, por ripërfytyrim të një ekonomie, e cila nevojitet ta matë suksesin me mirëqenien e përbashkët, jo vetëm me bilancet e korporatave.

Pa këtë, mbetemi të ngërthyer në një situatë, kur një numër i vogël njerëzish shijojnë anën pozitive të ndërmarrjes së rrezikut, ndërsa ne të tjerët përballemi me pasojat.

EMISIONET