Fileto pule me salmonelë përfunduan në treg, Anila Denaj: Reaguam menjëherë, biznesi nuk bashkëpunoi, e çuam në Prokurori

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka qenë e ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku është diskutuar lidhur me hyrjen në treg të një sasie filetosh pule me salmonelë e importuar nga Brazili.
Denaj tha se në rastin konkret janë marrë të gjithë masat pas konstatimit të salmonelës, ndërkohë tha se biznesi që ka kryer importin, nuk ka bashkëpunuar për gjurmueshmërinë e produkutit dhe ndaj është referuar menjëherë në disa institucione përfshirë në Prokurori.
Denaj shtoi se shumica e produktit është e bllokuar, por zyrtarisht për këtë do të jepet informacion kur të përfundojë hetimi.
"Produktet e importuara nga vende edhe si Brazili shoqërohen me certifikatë veterinare. Sikurse rasti i filetos së pulës, ashtu edhe mishi i derrit, të gjitha stabilimentet që i tregtojnë produktet nga Brazili, eksportojnë në vendet e BE dhe lejohen të eksportojnë në vendet e BE-së. Kanë një marrëdhënie me kompanitë shqiptare të eksportit, janë të listuara në Bashkimin Europian. Pra për të mos e etiketuar Brazilin si vend me risk të lartë. Origjina e produktit është dhe jemi sot me ligjet në Shqipëri njësoj si në ligjet e BE-së kur vjen puna te çështja e importit, si edhe shoqërimin me certifikatë të çdo produkti të importuar.
Bëhej fjalë për një sasi fileto pule, e cila hyn në pikën doganore të Durrësit. Në planin e menaxhimit të marrjes së mostrave, një nga ngarkesat është vlerësuar për të marrë një mostër dhe për të analizuar. Janë analiza të akredituara nga Bashkimi Europian. Merr rezultatin në 21 mars, në momentin që AKU vihet në dijeni dhe vijon kontrollin dhe gjurmueshmërinë.
Subjekti duhet që kur ka përgjigje nga Instituti i Sigurisë Ushqimore, kanë detyrimin të informojnë se ku e ka tregtuar. Është gjetur në pamundësi të informacionit AKU. Biznesi duhet të informojë dhe nuk e ka bërë. Nga ana tjetër, nuk ka lejua në njëfarë mënyrë kontrollin e plotë të gjurmueshmërisë. AKU ka referuar rastin për t’u ndihmuar nga hetimi tatimor, krimi ekonomik dhe policia, duke u referuar edhe në Prokurori.
Kur flasim për sigurinë ushqimore nuk është çështje e lehtë, nuk dua ta relativizoj, por palët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Edhe aty ku ne nuk e gjurmojmë dot 100% bëjmë palë institucionet e tjera.
Dua vetëm një element, sëmundjet sonoze janë shtaur në vitet e fundit. Autoriteti europian raporton çdo vit dhe në janar ka raportuar në veçanti për salmonelën, një rritje nga 2022 gati 77,500 raste. Është një situatë që ne reagojmë menjëherë në çdo rast.
Rasti ideal është që kur merret përgjigja i gjithë malli bllokohet. Në mungesë të marrjes së informacionit nga biznesi e kemi referuar në prokurori. Kam informacion jo zyrtare, pjesa më e madhe është e bllokuar. Por nuk mund të flas sepse ka një proces që duhet të shprehen institucionet.
Pjesa më e madhe është gjendur, por nuk mund të shprehem sepse është në vlerësim të institucioneve. Në çdo rast bashkëpunimi i të gjithë kompanive dhe detyrimi për të raportuar dhe për të ndjekur.
Mënyra e reagimit të shpejtë dhe ndërgjegjësimit, është për tu vlerësuar jo në raport me problemin, por për zinxhirin dhe ndërgjegjësimin, si për biznesin që e kanë të qartë detyrimin ligjor dhe njëkohësisht për të gjurmuar me fatura tatimore, për të gjurmuar se ku është produkti.
Sasia e kampionuar është diku te 7 ton, kjo nuk mund të jetë, nuk më lejohet të them se ka përfunduar në treg. Ne kemi gjurmuar dhe bllokuar, por sasia e gjurmuar do të dalë në përfundim të procesit të investigimit", tha ndër të tjera Denaj.

