Escobar në Tiranë para zgjedhjeve, Nesho: Alternativa e vetme fituese është opozita, populli vendos
Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor do të takojë të martën dhe të mërkurën krerët e politikës shqiptare. Zgjedhjet e 14 majit, pritet të jenë në fokus të diskutimeve.
Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho, në një intervistë për Rtv Ora thotë se rikthimi i zyrtarit të lartë të DASH pas një viti në vend do të sjellë shumë mesazhe.
Nesho: Situata në Shqipëri është tepër e rëndë. DASH gjithmonë e ka vlerësuar në vite se në standardet e demokracisë të përcaktuara nga institucionet kryesore ndërkombëtare, Shqipëria mungon dhe është jashtë kritereve. Në Shqipëri tashmë kemi një regjim autokratik që shoqërohet me një kleptokratizëm dhe ngritjen e një kaste që drejton vendin duke rrjepur këtë popull deri në detaje. Vizita do të jetë me shumë mesazhe. Ajo që i takon qeverisë do të jetë dhe pjesa më e vështirë, janë mësuar autokratët shqiptarë me Ramën në krye. Por do të jenë shuëm të interesuar që të shikojnë dhe vlerësojnë përgatitjen e opozitës që tashmë është bërë e besueshme në radhë të parë te populli shqiptar. Amerikanët si partnerët tanë strategjikë nuk mund ta mohojnë këtë gjë. Nga dita në ditë po shtrojnë marrëdhëniet që kanë jo vetëm me pushtetin, por edhe me opozitën. Do takohen jo vetëm me opozitën e shtirë që bën lojën e Edi Ramës, por do takohen dhe me përfaqësues të opozitës së bashkuar që është alternativa e vetme dhe alternativa fituese në Shqipëri.
Një takim me Berishën i shpallur non grata nga DASH do të mungojë, por është paraparë një takim me Metën.
Nesho: Ne duhet të shikojmë alternativën e PD, e PD-së së vërtetë të udhëhequr nga Berisha, si një alternativë që e do populli shqiptar dhe kjo është e mjaftueshme për përfaqësuesit e SHBA, administratës që të diskutojnë në të ardhmen për mundësinë e bashkëpunimit. E kemi parë dhe në rastet tjera.
Sipas tij, nëse ka një korrupsion Shqipëria është tendenca, përpjekjet për të korruptuar zyrtarët e SHBA për të mbajtur pushtetin e palegjitimuar në Shqipëri.
Nesho: Ky person është Edi Rama. Skandali McGonigal do të vazhdojë si gjyq por edhe rezultatet e gjyqit do të jenë të pamohueshme dhe do të tregojnë shumë të vërteta.
Numri dy i Partisë së Lirisë thotë se qeveria Rama vetëm fasadën ka properëndimore pasi pazaret i bën me vendet arave.
Nesho: Opozita është proeuropiane dhe proamerikane kur ky regjim vërtet duket me servilizimin e tij dhe jesmenët që janë dakord me çdo kërkesë të Perëndimit por syrin dhe xhepin financiar këta e kanë lidhur me shtetet e Emirateve, me arabët, me ata që kërkojnë edhe pasurinë që ka ky popull ta shfrytëzojnë për interesat e tyre dhe ti ndajnë këto gjëra. Apo me Turqinë që i kanë dhënë të gjitha burimet strategjike të vendit dhe me forca të tjera jodemokratike, me një qëllim, për të krijuar një strategji për të fsheur të gjitha gjërat që ja kanë marrë në mënyrë korruptive këtij populli. Ky realitet nuk do të vazhdojë më. Është populli që vendos, nuk janë të tjerët pavarësisht se mund të pengojnë. Shikoni çfarë po ndodh në SHBA, e kanë parë procesin ndaj Trump si një çështje politike dhe nuk e pranojnë amerikanët, mbi 68% e shikojnë procesin politik.

