"Erion Veliaj ka mbaruar", Shehaj: Prokuroria duhet të merret me shkeljet në Bashkinë Tiranë

Ekspertja e ekonomisë Brisida Shehaj ka komentuar përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me delegimin e kompetencave të këtij të fundit.

E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV me Flavio Qarrin, Shehaj theksoi se lufta mes tyre është vetëm një shpërqendrim nga problemi kryesor, që sipas saj është paligjshmëria e Ramës.

Ajo kërkoi veprime urgjente nga një prokurori efikase dhe kritikoi Qeverinë që nuk mund të merrte përgjegjësi për një institucion autonom siç është bashkia.

Shehaj gjithashtu shprehu shqetësimin se SPAK nuk ka ndërmarrë veprime as për aferat e përfolura të Ramës, duke përmendur McGonigal, EcoPark dhe inceneratorët. Ajo e vlerësoi situatën si një “lojë” ku pas vete qëndron vetëm interesi politik.

Brisida Shehaj: "Ne e shohim si luftë, por në fakt ne duhet me u marrë me paligjshmërinë e Ramës, se Erioni ka mbaruar punë, kështu që duhet të merremi pak me paligjshmërinë e Ramës.

Nëse do kishim një prokurori efikase, duhej urgjentisht të vepronte dhe të reagonte. Nuk mundet kurrë Edi Rama që të shkojë dhe të marrë përgjegjësi për një institucion autonom siç është bashkia. Qeveria vendore ka një ligj me vete, funksionon me një ligj me vete dhe nuk mundet kurrësesi Rama…

Rama ka vetëm një detyrë, që është shkarkimi i Erion Veliajt, nëse do të donte që kjo bashki të drejtohej ndryshe.
Për sa kohë që nuk e shkarkon, do të thotë që ata janë të dy në këtë pazar, do të vazhdojnë të dy me këtë pazar, njeri bën presion për diçka, sigurisht dakordësojnë siç kanë dakordësuar edhe dje, po se për fare do ta marrim vesh më vonë, dhe kaq është e gjithë historia.

Ne merremi me betejën e tyre, por tani ata kanë vetëm një betejë, që janë votat në qarkun Tiranë, kjo është beteja, për këtë bëhet e gjitha, sigurisht bashkia e Tiranës nuk ka pak, por ka rreth 14 mijë punonjës dhe e gjitha kjo është e gjithë loja që bëhet.

Thelbi është paligjshmëria e Ramës, SPAK që nuk vepron as për McGonigal, as për EcoPark, as për afera të tjera të Ramës, as për inceneratorë, të paktën të kishte vepruar për Edi Ramën që njëherë e shohim të shkojë në bashki natën, njëherë e shohim në shesh me të gjithë punonjësit e bashkisë.

EMISIONET