Erdogan inaguron xhaminë, Presidenti turk vizitë në Tiranë, takime me Ramën dhe Begajn

Presidenti i Turqisë Rejep Tayip Erdogan do të vizitojë Tiranën të enjten në një takim zyrtar.

Kreu i shtetit turk pritet të mbërrijë paradite, ku do të zhvillojë së pari një takim të nivelit të lartë me homologun e tij, Presidentin shqiptar Bajram Begaj.

Më pas Erdogan do t’i drejtohet ambjenteve të Kryeministrisë ku do të pritet nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Vizita zyrtare e presidentit turk në Tiranë do të kulmojë  pas orës 15:00 me inaugurimin e xhamisë e së Namazgjasë.

Gjatë inagurimit Erdogan do të shoqërohet nga Kryeministri Rama dhe Myftiu i Tiranës Gazment Teqja, i cili do të jetë imami zyrtar i xhamisë, njëkohësisht edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë.

Në një postim në rrjetet sociale, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thekson se kjo xhami, e cilësuar si më e madhja në Ballkan do t’u shërbejë jo vetëm besimtarëve shqiptarë por edhe qytetarëve të tjerë apo turistëve.

“Këtu veçojmë gjithashtu ndërveprimin e shkëlqyer të qeverisë shqiptare dhe asaj turke, ndërveprim i cili ka qenë deçiziv në realizimin e kësaj vepre madhështore për popullin dhe kryeqytetin shqiptar.

Xhamia nuk do të jetë thjeshtë një vendfalje, por një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve.”

Kjo xhami ka përfunduar punimet që në vitin 2018 por ezani i parë nuk u thirr për shkak të përplasjeve mes komunitetit mysliman në Turqi dhe atij në Shqipëri, të akuzuar si gylenistë, kundërshtarët më të fortë të Erdogan, të cilët ky i fundit i ka akuzuar edhe për grusht shteti në 2016-ën.

EMISIONET