Edhe PD kritikon ambasadorin shqiptar në Britani: Mbrojti Ramën dhe turpëroi shqiptarët

Partia Demokratike kritikoi performancën e Ambasadorit shqiptar në Komisionin e Parlamentit Britanik lidhur me emigrantët shqiptarë.

Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, tha se Qirjako Qirko mbrojti Ramën dhe i turpëroi shqiptarët dhe Shqipërinë.

Sipas saj, kjo është një kambanë alarmi për shndërrimin e Shqipërisë në çiflig të çrregullimeve të Edi Ramës.

Garo: Ambasadori i Edi Ramës në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu si shefi i tij në Tiranë, mbrojti Ramën dhe i turpëroi shqiptarët dhe Shqipërinë në seancën dëgjimore para një Komisionit të Parlamentit Britanik.

Të vetmet herë që përgjigjej, ai ashtu si shefi i tij në Tiranë, shfajësonte qeverinë e vet dhe fajësonte vendin pritës, Britaninë e Madhe.Ambasadori ia hidhte fajin sa qeverive të huaja, dhe sa shqiptarëve nga trojet etnike në Ballkan duke përdorur një tezë të Sajmir Tahirit para disa vitesh se ata që emigrojnë në Gjermani janë shqiptarë të Greqisë.

I dorëzuar para pyetjeve të ligjvënësve britanikë, ai e pranoi se qeveria shqiptare do ta mbështeste një plan depërtimi dhe riatdhesimi të emigrantëve shqiptarë, duke i hedhur ata dy herë në det. Një herë duke i përzënë nga vendi amë, dhe të dytën nga vendi pritës.

Shqipëria është në rrezikun e ri, prej të cilit kishte dale njëherë, të kthimit në një Republikë bananesh, në një shtet dhe vend qesharak. Kjo për faj të qeverisjes së Edi Ramës dhe të të marrëve peng që e përfaqësojnë Shqipërinë nëpër botë.

Zoti Qirko deklaroi të mërkurën se mbështeste planet për kthimin e shpejtë të emigrantëve duke potencuar se Shqipëria është një vend i sigurt.

Megjithatë ai i bëri bisht pyetjes në lidhje me pyetjen për kërkesën për azil të shtetasve shqiptarë në Britaninë e Madhe.

Insistimi i diplomatit shqiptar solli një reagim të ashpër nga deputeti konservator, Tim Loughton.

Ky i fundit e pyeti zotin Qirko nëse kryeministri Rama ishte i shqetësuar për mijëra persona që tentojnë të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas tij ata janë taksapagues në Shqipëri dhe një pjesë e tyre edhe të kualifikuar.

Qirko tha se ai nuk shihte se një problem i tillë ekziston ndërsa deklaroi se zgjidhja për emigrimin e paligjshëm është që shqiptarët të mund të emigrojnë në mënyrë të ligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, duke vënë në dukje se Britania e Madhe ka vende pune të paplotësuara dhe ka nevojë për emigrantë.

EMISIONET