E PLOTË/ Ahmetaj, 150 mijë dollarë lobim në SHBA/ Ish-zv.kryeministri firmos nga Luganoja “mbrojtjen” në Kongres dhe Agjenci
Nga Lugano e Zvicrës Arben Ahmetaj ka nënshkruar kontratën me kompaninë amerikane për të lobuar në kongres dhe agjencitë e departamentit. Shuma që ai do të paguaj është 150 mijë dollarë, ku përfshihen edhe këshillat ligjore
6 muaj pas largimit nga Shqipëria, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj nën hetim me tre akuzat për incineratorët, ka angazhuar një kompani lobiste amerikane.
Dokumenti rezulton të jetë firmosur në 15 janar të këtij viti, ndërsa ish numri dy i qeverisë zbulon se ndodhet në Lugano të Zvicrës.
Sipas kontratës së zyrtarizuar së bashku me bashkëshorten Erjola Hoxha do të paguajnë në total 150 mijë dollarë, ku 50 do të jenë menjëherë.
Në çdo një muaj pas kësaj më konkretisht në 1 maj, 1 qershor dhe 1 korrik 2024 do të shlyhen nga 25 mijë dollarë.
Qëllimi siç thuhet në dokument do të jetë “të edukojë politikëbërësit mbi akuzat penale të pavërteta të ngritura ndaj klientit nga Qeveria e Shqipërisë”.
Po ashtu, Ahmetaj do të marrë edhe këshilla mbi të drejtat ligjore, si dhe do të zhvillohen politika në favor të tij. një tjetër pikë është lobimi në qeverinë e SHBA, departamentet dhe agjencitë e degës ekzekutive federale dhe Kongresin.
Ndërsa çdo një javë Ahmetaj do të informohet mbi takimet e organizuara dhe zhvillimet.
Paralelisht me lobistët në SHBA, Ahmetaj vijon të hetohet në Shqipëri, ndërsa përmes avokatëve ka kërkuar pavlefshmërinë e procedurave të zhvilluara nga SPAK.
Në korrik të vitit të shkuar parlamenti votoi pro kërkesës për arrestimin, por në atë kohë ai ishte larguar nga vendi.
Në një intervistë televizive të një jave më parë ai u shpreh se është i pafajshëm mbi akuzat, ndërsa akuzoi kryeministrin dhe kryebashkiakun e Tiranës për incineratorët.



