E dyta herë brenda 9 viteve/ Socialistët drejt ndryshimit të hartës territoriale?

E dyta herë brenda 9 viteve/ Socialistët drejt ndryshimit të

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku deklaroi se do të kryhet një analizë e thelluar mbi ndikimin që ka dhënë reforma territoriale e kryer në vitin 2014 dhe se bazuar mbi të dhënat që do të dalin do të diskutohet nëse do të nevojitet reformë e re apo jo.

Gjatë një interviste në një media, Mazniku theksoi se të dhënat e deritanishme flasin për një sukses të reformës së 2014-ës.

“Pjesë e axhendës në këtë legjislaturë do të jetë edhe vlerësimi i detajuar i ndikimit të reformës së 2014-ës dhe më pas vlerësimi i ndikimit të mëtejshëm që reforma ka nevojë të bëjë.

Deri diku, kjo përbën edhe axhendën e punës sime. Do të ngrihet një mekanizëm për të vlerësuar performancën e bashkive në raport me reformën”, u shpreh Mazniku.

Ministri vuri në dukje se bazuar në të dhënat do të hapet një debat publik, nëse ka nevojë të çohet një hap më thellë kjo reformë.

“Nga të dhënat e deritanishme, reforma ka qenë sukses i jashtëzakonshëm edhe për sa i takon cilësisë së shërbimeve, edhe sa i përket afrimit të shërbimeve te njerëzit, cilësisë së investimeve publike, përqendrimit të burimeve njerëzore, etj.”, theksoi ai.

Lidhur me një rishikim të numrit të bashkive, Mazniku theksoi se ka bashki që janë të vogla, që nuk krijojnë dot element të ekonomisë së shkallës dhe vërehet mungesë e burimeve njerëzore.

”Logjika të çon drejt konceptit që një numër më i vogël bashkish do të sillte një qeverisje më efektive dhe më të dobishme për njerëzit, do të përmirësonte rrënjësisht cilësinë e jetës.

Por vendimmarrja do të jetë e bazuar mbi të dhënat. Do të ngremë një bazë të mirë të dhënash mbi ndikimin që reforma ka pasur dhe bazuar mbi këto të dhëna, kemi mundësinë të bëjmë një konsultim publik për të parë se kush janë hapat e mëtejshëm në drejtim të reformës”, u shpreh Mazniku.

EMISIONET