DËSHTOJNË SEANCAT NË GJKKO/ Prova të reja për Metën, avokati i ri i Veliajt kërkon kohë të lexojë dosjen
SPAK ka paraqitur prova të reja shtesë në çështjen ndaj Ish Presidentit Ilir Meta ndërsa dosja ndaj tij dhe personave të tjerë është në fazën e shqyrtimit paraprak në Gjykatën e Posaçme. Monika Kryemadhi e cilësoi skemë për të mbajtur Metën në qeli dhe familjen e saj nën presion
Prokuroria e Posaçme, SPAK ka paraqitur prova të reja shtesë në procesin gjyqësor ndaj Ilir Metës në Gjykatën e Posaçme, ndërsa çështja ndaj ish presidentit, ish bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi dhe personave të tjerë është në fazën e shqyrtimit paraprak.
Burimet bënë me dije në se materiali shtesë përfshin një letër porosi të përcjellë nga SHBA, që ka konfirmuar se biznesmeni Ardian Shatku ka kryer një pagesë për një kontratë lobimi të LSI-së.
Avokati i Ilir Metës konfirmoi provat e reja të SPAK në dosjen hetimore ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, duke e cilësuasr veprimin në shkelje të ligjit, pasi dosja tashmë është në gjykatë.
Seanca paraprake për Dosjen “Meta” e parashikuar për ketë të martë u shty sërish për shkak të mungesës së Avokatit të Monika Kryemadhit, Redi Llanaj, i cili u arrestua dhe më pas u la në arrest shtëpie pasi goditi rojen e sigurisë në Gjykatën e Vlorës.
Ndërkohë që gjyqtarja Irena Gjoka ka vendosur pezullimin e afateve të paraburgimit për Ilir Metën.
Monika Kryemadhi sulmoi kreun e SPAK, Altin Dumani pas vendimit për zgjatje hetimi, duke i cilësuar manovra që sipas saj synojnë të mbajnë Ilir Metën në qeli, ku ai mbahet që prej tetorit 2024 dhe familjen e saj nën presion
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen nga SPAK për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho është nën akuzë për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Ndryshimi i Avokatit mbrojtjes nga Erion Veliaj, ndërkohë u bë shkak për shtyrjen e seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme ndaj kryebashkiakut të shkarkuar të Tiranës dhe personave të tjerë të përfshirë në dosjen e bujshme për abuzime, korrupsion e fshehje pasurie.


