Do t’ia “lexojë” nen për nen Buxhetin qeverisë, gazetari: Berisha kthehet nesër në Kuvend!
Sali Berisha kthehet në Kuvend të martën, pas thuajse 1 viti mungesë, nën akuzë për dosjen "Partizani".
Në seancën që do diskutohet nen për nen Buxheti 2025, gazetari Isa Myzyraj raporton se ai do të propozojë dy amendamente, duke kërkuar edhe votën e socialistëve.
Oponencën nga shtëpia, kreu i demokratëve ka vendosur ta vijojë brenda sallës plenare, ku do të prezantojë dy amendamentet që mbajnë firmën e tij.
I pari ka të bëjë me Pezullimin e të gjitha prokurimet për investime publike luksi të qeverisjes qendrore, deri në momentin e miratimit me ligj të masës financiare të minimumit jetik në Republikën e Shqipërisë.
I dyti, me ndalimin e çdo pagese për shpenzime operative luksi të qeverisjes qendrore, deri në momentin e rritjes reale të pensioneve.
Këto amendamente, përfshihen në mesin e 34 amendamentesh të tjera të propozuara nga PD. PD ka deklaruar se krye-amendament ka atë për përcaktimin e minimumit jetik, por edhe më shumë mbështetje për pensionistët, shëndetësinë e arsimin.


