Dhuna në Kuvend u provokua nga PS, Bardhi: Nuk mund të provokosh 50 deputetë
Deputeti Gazment Bardhi thotë se prej disa javësh mazhoranca e ka futur Kuvedin në ngërç, duke pamundësuar funksionimin normal të këtij institucioni.
Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të seancës plenare, Bardhi u shpreh se mazhoranca është e mbuluar çdo ditë me skandale korruptive.
Sipas tij, kjo është arsyeja se përse po kërkohet që të shuhet zëri i opozitës.
“Ju e dini që prej 3 javësh, mazhoranca e ka futur Kuvendin në një ngërç, duke pamundësuar funksionimin normal të Parlamentit.
Me veprime të paprecedenta, duke nisur nga sjellja e Kryetares së Kuvendit, dhe më pas me vendime antikishtetuese, kanë marrë vendim për të asgjesuar opozitën në Parlament.
Kurrë në historinë e Parlamentit, nuk ka ndodhur që Kryetarja e Kuvendit ta shndërrojë veten në specialist arkive të një partie, duke injoruar kushtetutën dhe rregulloren e Parlamentit.
Kurrë në historinë e Parlamentit, nuk ka ndodhur që Kryetarja e Kuvendit të hedhë në voim të drejtat e opozitës dhe shumica parlamentare të votojë për asgjesimin e tyre.
Kurrë në historinë e Parlamentit, nuk ka ndodhur që të votohet për të rrëzuar kërkesat për Komision Hetimor, pa i dhënë të drejtën dhe mundësinë opozitës, për të folur dhe për të shpjeguar kërkesat e saj.
Kurrë në historinë e Parlamentit,. nuk ka ndodhur që mazhoranca t’i ketë diktuar opozitës, se me kë dhe si duhet të përfaqësohet në komisionet parlamentare.
Kurrë në historinë e Parlamentit, nuk ka ndodhur që mazhoranca të rrëzojë brenda 1 viti, 8 kërkesa për komisione hetimore.
Pse e bën mazhoranca këtë sjellje? Janë shumicë në popull apo se po qeverisin mirë? Jo, e bëjnë sepse janë të mbuluar çdo ditë me skandale korruptive dhe duan të shuajnë zërin e opozitës në Parlament.
Jua kemi bërë të qartë, ne duam që Parlamenti të funksionojë normalisht, por kjo nuk varet vetëm, nga opozita, por edhe nga mazhoranca.
Mandatet e opozitës, janë mandate sakrifice, që janë fituar me votën e qytetarëve të ndershëm. Mazhoranca duhet të heqë dorë ng aloja për të mos lejuar opozitën të përmbushë misionin e saj në një shoqëri demokratike.
“Deputetët e opozitës sot u rrethuan nga garda e republikës. Ishte mbyllur çdo derë komunikimi për deputetët e opozitës. Sjellja e gardës provokoi situatën, ndërsa ju e dini prej javësh mazhoranca e ka futur Kuvendin në një ngërç duke mos mundësuar vijimin normal të seancës së parlamentit.
Kanë marrë vendime për asgjësimin e opozitës. Nuk ka ndodhur të rrëzohen kaq komisione hetimore pa dhënë një shpjegim. Nuk ka ndodhur të përjashtohen deputetët e opozitës se nuk pranojnë poshtërimin në sallën e Kuvendit”, u shpreh ai mes të tjerash.


