Dega e PD Korçë denoncon abuzimin me 4 tendera të bashkisë: 360 mln lekë u dhanë sipas qejfit
Kontrolli në Bashkinë e Korçës ka zbuluar se 4 prokurime me vlerë 360 milionë lekë, janë dhënë duke cënuar konkurencën. Për këtë ka reaguar kreu i degës së PD në Korçë, Devis Osmani, i cili i drejtoi disa pyetje publike kryetarit të bashkisë.
Auditi i kryer në Bashkinë e Korçës, zbuloi se katër tendera me vlerë 360 milionë lekë janë dhënë nga duke cënuar konkurrëncën. Kreu i degës së Partisë Demokratike në Korcë, Devis Osmani, tha se në 2 nga prokurimet fituesi është shpallur në shkelje të ligjit.
“Pas çudirave të ngrohjes me kursim në ditët më të ftohta, Kryetari i Bashkisë Korçë, me stafin e zgjedhur prej tij, na servir dhe çudinë e radhës: 4 tendera nga Ndërmarrja e Shërbimeve Mbështetëse të Arsimit dhe Çerdhes rezultojnë me shkelje, sipas Raportit të KLSH, Shtator 2022. 360 milionë lekë (të vjetra) janë dhënë sipas qejfit pa respektuar asnjë kriter. 2 procedura prokurimi, ose më thjesht, 2 tendera, nuk janë në përputhje me procedurat, duke sjellë uljen e ofertuesve ose skualifikimin e ofertave më të leverdisshme. Në 2 të tjera, fituesi nuk plotëson kriteret e miratuara me ligj dhe duhej të anuloheshin”, u shpreh Devis Osmani.
Përfaqësuesi demokrat i drejtoi disa pyetje publike kreut të Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, ku i kërkoi informacion për procedurat në fjalë.
“Keni marrë masë zotëri për këto që ju ka rekomanduar Kontrolli i Lartë i Shtetit? Ishit ju në dijeni për këto procedura prokurimi? Unë dhe të gjithë qytetarët e Korçës, presim një përgjigje nga ju! Ta dini se do këmbëngulim çdo ditë derisa të na jepni një përgjigje”, u shpreh Devis Osmani.
Kreu i PD-së Korçë gjithashtu u shpreh se nuk do të tërhiqet deri në marrjen e një përgjigje për abuzimet që kanë shoqëruar prokurimet në fjalë.