Bumçi: Shqipëria pa demokraci funksionale, “zero shanse” për integrim në BE

Në gjendjen aktuale politike dhe institucionale, Shqipëria ka "zero shanse" për t'u bërë një vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Ky paralajmërim i fortë vjen në "Ora News", nga ish-ministri i jashtëm, Aldo  Bumçi, si pasojë e dështimit për të përmbushur kriterin më thelbësor për integrim: demokracinë funksionale dhe zgjedhjet e lira.

Sipas analizës së Bumçit, problemi kryesor që mban Shqipërinë larg familjes evropiane është mungesa e standardeve demokratike zgjedhore.

Citohet raporti i OSBE-ODIHR, i cili ka konstatuar shkrirjen e partisë në pushtet me shtetin, duke krijuar një model të papranueshëm "parti-shtet". Ky koncept, i përshkruar si një relike e kohës së diktaturës, nuk mund të konceptohet në Evropën bashkëkohore dhe përbën një pengesë të pakapërcyeshme për anëtarësim.

" Në gjendjen që është sot Shqipëria, nuk ka asnjë shans të bëhet vend anëtar i Bashkimit Europian, zero shanse.

Ose BE-ja nuk do jetë më BE, nuk do ekzistojë më. Si mundet një vend që s'bën zgjedhje, nuk ka zgjedhje të lira, do të futet në Bashkimin Europian.

Nuk është futur kurrë asnjë vend. Të gjitha vendet që janë bërë anëtare të Bashkimit Europian nuk e kanë diskutuar demokracinë.

Kur Greqia filloi procesin e, e asocimit, u ndërpre nga junta ushtarake dhe kur u bë demokraci filloi prapë.

Kur Spanja ishte diktaturë, aplikonte, nuk i kthehej përgjigje dhe u bë anëtare kur u bë demokraci.

Dhe kushtet u bënë, të njëjta kanë qenë përherë, por u shkruajtën si kushtet e Kopenhagenit, kur ra komunizmi për vendet e Lindjes, që s'mund të diskutohej demokracia, shteti i së drejtës.

Dhe nuk mund të diskutohet që të bëhesh anëtar kur ti s'ke zgjedhje, dhe këtë e thotë OSBE-ODIHR-i, që partia dhe shteti s'kishin vijë ndarëse. Parti dhe shtet nuk konceptohet në Europë. Partia shtet është koncept i kohës së diktaturës", u shpreh  Bumçi.

 

EMISIONET