Bordi i Paqes, Strazimiri: PD-SHBA, një aleancë natyrale e jona! Këlyshët e Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës po...
Deputeti demokrat Gent Strazimiri ka shpjeguar mbrëmjen e sotme në studion e lajmeve në “Ora News” votën e opozitës sot në Kuvend për përfaqësimin e Shqipërisë në Bordin e paqes, një organizatë të thirrur nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Gjatë bisedës Strazimiri rikonfirmoi qëndrimet e Partisë Demokratike si forca kryesore që përfaqëson aspiratën pro-amerikane të shqiptarëve.
Ai tha se shqiptarët janë kombi më mirënjohës ndaj SHBA-së dhe se opozita nuk ka dhënë kurrë votë kundër interesave amerikane.
Megjithatë, ai akuzon qeverinë dhe “patronazhistët” për deformim të procesit dhe përpjekje për të bërë pis këtë marrëdhënie përmes akteve antikushtetuese.
“Ne votuam aspiratën, kurrë nuk kemi dhënë votë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës kur na ka kërkuar ndihmë me atë kontributin tonë ndaj SHBA-ve.
Ata thërrasin, ne jemi aty. Jemi i vetmi komb në botë që i jemi mirënjohës pafund SHBA-ve dhe PD-ja është aty pikërisht për ta përfaqësuar këtë aspiratë të popullit shqiptar.
Fakti që ky (Rama) e bën pis me emrin e vet, me makinacionet dhe gjithë anti-kushtetutshmërinë që kishte akti i sotëm dhe tek ato pika ne e votuam kundër”, u shpreh Strazimiri.
GARA PËR “PRO-AMERIKANIZËM”
Strazimiri u kujdes të sqaronte se PD-ja nuk është në një garë se kush është më pro-amerikan, teksa lëshoi një akuzë të fortë politike.
Ai e cilëson garën e qeverisë për të treguar besnikëri ndaj SHBA-së si qesharake dhe hipokrite, duke i etiketuar ata si “këlyshët e Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës”.
Sipas tij, kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të treguar se pa ta, politika amerikane dhe paqja në Lindjen e Mesme nuk mund të funksionojnë.
“Kështu që nëse ka një garë, ne nuk jemi pjesë e kësaj gare. E ka ky (Rama) me veten e tij dhe me opinionin publik, sigurisht dhe me ata që i shërbejnë atij për të treguar se ky është i pikuari nga qielli”, u shpreh ndër të tjera Gent Strazimiri.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME GENT STRAZIMIRIN


