Blushi në Kuvend: Juglindja e izoluar, shqiptarët po paguajnë krizën e qeverisjes. Sovrani do të rimarrë pushtetin

Blushi në Kuvend: Juglindja e izoluar, shqiptarët po paguajnë

Deputeti i PL-së, Tedi Blushi, gjatë fjalës së tij në seancën plenare, ka akuzuar mazhorancën për propagandë dhe shkëputje nga realiteti i qytetarëve.

Blushi krahasoi diskursin e qeverisë me, sipas tij, “televizionin shtetëror të Iranit”, duke thënë se edhe atje protestat cilësoheshin si rrezik për ekonominë dhe stabilitetin. Sipas tij, shqetësimi i mazhorancës për protestat e opozitës tregon orientimin e saj politik.

Blushi ngriti shqetësimin edhe për izolimin e juglindjes së vendit prej disa ditësh, duke thënë se qytetarët po përballen me vështirësi serioze, ndërsa shteti mungon.

Në përfundim, ai iu referua Kushtetutës, duke theksuar se “populli është sovrani në Republikën e Shqipërisë” dhe se, sipas tij, qytetarët janë të vendosur të rimarrin pushtetin që “u është grabitur”.

Fjala në seancën e sotme plenare të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi

Në fakt, kur dëgjoj këtë paradë suksesesh dhe shqetësimesh për protestat e opozitës, mu kujtua televizioni shtetëror i Iranit, njëlloj flisnin edhe përfaqësuesit e regjimit të Ayatollahut në Janar kur kishin filluar protestat .

Këto protesta rrezikonin, sipas tyre, ekonominë e Iranit, përveç stabilitetit u rrezikonin edhe turizmin.
Ndoshta rastësi ose jo, por fakti që Edi Rama u ka dhënë të lexoni ose të recitoni të njëjtin citat, tregon në fakt kah jeni orientuar si Mazhorancë.

Meqënëse sot koha është e limituar kur në fakt duhet të ishte krejt e kundërta, se vetëm në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë ndodh që Kuvendi me përfaqësues të qytetarëve, të flasë për qytetarët në një seancë të posaçme, ndërkohë gjithë seancat e tjera ju i keni degraduar për të folur thjesht dhe vetëm për interesat tuaja.

Unë sot nuk do ndalem në një zonë të caktuar për të trajtuar një problematikë, sepse sot hallet e shqiptarëve janë kudo njëlloj.

Sepse sot halli i të gjithë shqiptarëve është mbijetesa, është buka e gojës, është fatura e dritave, është fatura e ilaçeve që nuk blihen dot, është sigurisht çmimi i naftës, halle për të cilat ju sot nuk keni folur.

Sepse sigurisht halli i Belinda Ballukut dhe i Edi Ramës është në fakt dhe halli juaj.

Megjithatë përballë një populli që pret një pjesë rrogën, një pjesë të ardhurat nga puna e ndershme , ju në fakt të gjithë sot keni dalë në këtë foltore për t'ju treguar shqiptarëve se jeni në pritje të llokmës së rradhës, të tenderit të rradhës, të konçensionit të rrashës.

Se si e si ta ndani Shqipërinë ashtu siç bëtë ne fakt me 1/3 e vendit.

Keni realizuar një projekt që edhe armiqtë më të egër të këtij kombi nuk ja kishin dalë dot.

Pra ta ndanit Shqipërinë deri në Shkumbin dhe pastaj të zhvillonit aferat tuaja.

Është për të ardhur keq në fakt që sot askush prej jush nuk foli për faktin se prej 8 ditësh juglindja e vendit është e izoluar, nuk foli as Kryetari i Kuvendit.

Sigurisht ai, Edi Rama ndoshta edhe ju zgjidhni të shklni me helikopter në Korçë apo në Pogradec, por sot ka qytetarë që luftojnë me jetën në ambulancë duke u përpjekur të luftojnë me minutat, jo për faj të tyre, por për shkak se ju i keni imponuar një rrugë të gjatë, një shtim ankthi dhe një braktisje totale nga shteti.

Shqipëria nuk është pronë private dhe shqiptarët nuk duhet të trajtohen si vegla në duart tuaja.

Ndaj për këdo që shqetësohet sot për protestat e opozitës, dua tju kujtoj nenin 2 të Kushtetutës:

Populli është sovrani në Republikën e Shqipërisë.

Dhe sovrani është duke rimarrë atë pushtet të cilin ju ja keni vjedhur.

Sot Shqipëria është më e përçarë se kurrë, është e ndarë mes atyre që jetojnë me djersën e ballit dhe atyre që pasurohen në kurriz të tyre.

E atyre që mezi shtyjnë ditët dhe atyre që mezi presin të mbushin me çara valixhen e rradhës.

Megjithatë, meqënëse dhe koha ime po mbaron dhe kjo seancë në fakt për qytetarët është një absurditet më vete, dua t'ju kujtoj se populli është më i vendosur se kurrë për të rimarrë në dorë atë pushtet që ju ja keni grabitur dhunshëm në 11 Maj.

Faleminderit !

EMISIONET