Dollarë, paundë e tollona nafte/ Demokratët bllokojnë makinën e biznesmenit socialist Fiqiri Pali në Maqellarë, policia referon në SPAK kandidatin e PD dhe tre të tjerë për vetëgjyqësi
Eksponentë të Partisë Demokratike kanë bllokuar mbrëmjen e djeshme dy automjete në Maqellarë, në njërin prej të cilëve ishte edhe sekretari i Blendi Klosit, dhe dy persona te tjerë.
Në pamje nga ngjarja, shihet një numër i shtuar i militantëve të PD të cilët nuk i kanë lënë automjetet të largohen deri në momentin që ka mbërritur prokuroria e cila ka kryer edhe kontrollet e nevojshme.
Nga kontrollet u gjetën 4.500 USD, 1 mijë paund dhe tollona nafte janë gjetur në makinën e biznesmenit Fiqiri Pali, i cili duhet të theksojmë se ka marrë pune publike në Bashkinë Mat e Dibër.
Në automjetin tjetër ku ndodheshin ndër të tjerë edhe pjesëtarë të shtabit politik të Blendi Klosit nuk u gjetën sende të paligjshme.
Policia e Dibrës ka njoftuar se mbrëmjen e 9 majit, rreth orës 21:15, ka marrë një telefonatë denoncimi nga shtetasi Xhemal Gjunkshi, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike, i cili ka pretenduar se përfaqësues të Partisë Socialiste po shpërndanin para në këmbim të votave në njësinë administrative Maqellarë.
Menjëherë pas sinjalizimit, në terren është dërguar një grup i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, i cili, nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit, ka kryer veprimet e para procedurale dhe hetimore.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, materialet janë referuar pranë SPAK për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, ndërsa në hetim janë përfshirë edhe veprat “Vetëgjyqësia” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”.
Të proceduar për këtë ngjarje janë shtetasit A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xhemal Gjunkshi, 62 vjeç (kandidati denoncues i PD-së); si dhe E.Gj., 33 vjeç.
Njoftimi i policisë:
Me datë 09.05.2025, rreth orës 21.15, në sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ka mbërritur një telefonatë nga shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave, banorëve të kësaj njësie.
Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.
Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç.