Berisha: Të dhënat e sigurisë kombëtare kanë kaluar në duart e bandave dhe armiqve të Shqipërisë dhe NATO-s

Sali Berisha deklaroi për mediat se në dosjen e AKSHI-t janë përfshirë vjedhje masive dhe manipulime, duke përfshirë edhe të dhënat e sigurisë kombëtare dhe ato që lidhen me NATO-n, të cilat kanë përfunduar në duar të paautorizuara, duke rrezikuar sigurinë e vendit.
Fjala e Berishës:
"Çdo ditë që kalon po rrit në mënyrë eksponenciale zemërimin dhe revoltën tek qytetarët e Tiranës dhe qytetarët shqiptarë.
Po rrit vendosmërinë e tyre për t’i larguar me çdo çmim nga pushteti këta hajdutë që tejkalojnë me vjedhjet e fondeve dhe pasurive publike të gjitha vjedhjet që janë bërë në 113 vjet të shtetit shqiptar.
Bllokimi i drejtësisë nga Edi Rama, refuzimi për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut, diktimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese janë aktet më të rënda, më të paprecedent në historinë e një shteti, është poshtërimi më i madh që u bëhet qytetarëve shqiptarë, duke u thënë atyre se ne u kemi vjedhur, u vjedhim dhe do t’u vjedhim sepse jemi mbi ligjin, mbi Kushtetutën dhe kjo përbën për çdo qytetar që beson në barazinë para ligjit dhe ligjin, që beson Kushtetutën dhe rendin kushtetuese.
Edi Rama përgjegjësitë i ka më të rënda se Lubi Balluku sepse nëse ata kanë vjedhur dhe shpërdoruar miliarda në veprat publike, ndërmarrja, kopshti privat i Edi Ramës, AKSHI, nuk është kontrolluar nga Lubi Balluku.
AKSHI ka qenë ekskluzivitet total i familjes Rama.
Në dosjen e AKSHI-t janë veprat më të shëmtuara në historinë e kombit, vjedhja e plotë dhe totale të gjitha të dhënave të sigurisë kombëtare dhe ato që vijnë nga Aleanca e Atlantikut të Veriut në Shqipëri.
Kalimi i këtyre të dhënave në duart e bandave dhe armiqve të betuar të kombit shqiptar dhe NATO-s.
Dosja e AKSHI-t nuk është pra vetëm dosja e vjedhjeve të qindra milionë eurove përmes baxhanakut të tij në AKSHI, dhe implikimit siç tregojnë regjistrimet të bashkëshortes së tij në përcaktimin e fituesve, nuk është vetëm pengmarrjet, 3 pengmarrje jo 2, Gerond Meçe me 12 gusht, Daniel Shima një javë më vonë dhe një tjetër biznesmen i ri i marrë peng për shkak të lojërave të fatit, monopol ekskluziv dhe total i kartelit të drogës në Elbasan."

