Berisha "shmang" dorëheqjen: E tha edhe OSBE-ODIHR, zgjedhjet u manipuluan

Në daljen e sotme për mediat, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ndryshoi vullnetin e shqiptarëve.

Si referencë tashmë pati raportin paraprak të OSBE-ODIHR.

"Blerja e votës ishte një akt masiv dhe i shëmtuar. Mungesa e komisierëve dhe numëruesve të opozitës së vërtetë, koalicionit Bashkë Fitojmë që kishte 61 kandidatë ishte një akt tjetër pabarazie të madhe. Dhuna dhe terrori ndaj eksponetëve të opozitës është përdorur deri në pengmarrje të tyre. Të gjitha këto janë dy konkluzione: Edi Rama është armik i egër, i përbetuar i votës së shqiptarëve. E dyta, është një apel dhe kushtrim për mbarë popullin opozitar, çdo shqiptar që beson se shteti ligjor, të gjitha liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarit funksionojnë vetëm në rast se shoqëria voton e lirë".

Ai tha se PD ka në disponim qindra fakte dhe dokumente me të cilat Edi Rama ka ndërhyrë dhe ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

"Ka me dhjetëra padi në organe që vegla të partisë shtet. PD do të paraqesë një raport shumë serioz pranë të gjithë autoriteteve që vëzhguan zgjedhjet në Shqipëri dhe kancelarive të SHBA dhe BE për të faktuar dhunimin masiv, shkelmin masiv të rezultatit të këtyre zgjedhjeve".

Berisha nënvizoi se në një seri bashkish kandidatët që fituan janë të botës së krimit, të drogës dhe të blerjes.

"Numërimet janë një pazar i turpshëm që vazhdon të bëhet çdo minutë" shtoi ai.

I pyetur nëse mban përgjegjësi për humbjen në Shkodër dhe a do ta shoqërojë këtë me dorëheqjen e tij, Berisha tha:

"Shkodra votoi në pushtim të vërtetë. Të gjitha pollet e kundërshtarëve tanë por dhe tonat e nxirrnin  Bardh Spahinë 14-16 pikë përpara. Nëse dikush mendon se tërhiqet Sali Berisha para krimit ai sheh veshët e tij pa pasqyrë. Kurrë nuk tërhiqem para bandave të krimit shtetëror dhe joshtetëror, Shkodra është shembulli më i shëmtuar në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës. Në Shkodër u përdorën sasi kolosale, dhjetëra milionë euro dhe jam i bindur se qytetarët e Shkodrës zgjedhjen e krimit, pushtetin e krimit nuk do ta pranojnë".

sali berisha zgjedhjet e 14 majit

EMISIONET