Berisha: Rama po ia jep vulën dhe logon e PD-së “pengjeve” të tij! Do hyjmë në zgjedhje, do e përmbysim këtë regjim

Gjatë fjalës së tij në përvjetori e 60-të të lindjes së Azem Hajdarit, lideri historik i demokratëve Sali Berisha deklaroi se vula dhe logoja e Partisë Demokratike po u jepet “pengjeve” të Edi Ramës.

Por pavarësisht kësaj, Berisha tha se sa i përket zgjedhjeve të 14 majit ata do të marrin pjesë në to dhe përmes tyre do “ti japin një goditje regjimit” mafioz e anti-kushtetues që nuk meriton të qeverisë as një ditë më shumë.

“Sot, ata që vranë, ekzekutuan Azem Hajdarin para PD-së, sot ata që kontraktuan si vrasës McGonigalin, që kanë kontraktuar si vrasës me pagesë ambasadorë, bëjnë gjithçka që ne të mos hyjmë në zgjedhje. Bëjnë gjithçka duke i thënë vulën dhe logon pengjeve që i kanë marrë ata në këtë afër makbethiane. Rama nuk është i vetëm. Ai u ndihmua nga ambasadorja Yuri Kim, e cila bëri çdo ndërhyrje në gjykate. E korruptuar sa vetë McGonigal, ajo është betuar se PD do shkatërrohet, se Shqipëria do përjetojë ndëshkimet më të rënda. Pse? Sepse nuk pranon monizmin e Edi Ramës.

Të gjitha këto u kaluan, ndaj Azemi është më i gjallë se kurrë sot. Ne jemi dhe mbetemi opozitë e fuqishme sikur atëherë që u krijuam. Aleati më kryesor janë dhe do mbeten SHBA dhe BE. Ne mbetemi të angazhuar që n këto zgjedhje të marrim rezultatet më të mëdha dhe t’i japim goditjen më të fuqishme Edi Ramës dhe përpjekjeve të mafies për të shndërruar Shqipërinë në çifligun e saj. Azemi sot është më i gjallë se kurrë, njësoj siç ngrihej mbi supet e studentëve më 9 dhjetor.

Ne sot, të frymëzuar nga ai, do vazhdojmë betejën tonë në të gjitha fushat. Në një revolucion të pandalshëm deri në përmbysjen e këtij regjimi që nuk meriton të qeverisë asnjë ditë Shqipërinë”, deklaroi Berisha.

Ndërkaq kryedemokrati u ndal sërish tek ajo që ai e cilësoi si afera e korrupsionit “Rama-Gonigal”, ku theksoi se kryeministri Rama kontraktoi ish-zyrtarin e lartë të FBI-së tashmë të arrestuar nga drejtësia amerikane, për të vrarë dhe shkatërruar idealet e lirisë së Azem Hajdarit.

“Sot ne jemi në një monizëm, të njëjtë që ishim në vitin ’90, para dhe pas themelimit të PD-së. Ne vërtet u themeluam më 11 dhjetor, por u themeluam kur kultet ishin jo vetëm i diktatorit Hoxha, por kishim marrë edhe kulte të tjera lindore dhe i kishim në Tiranë. Por kjo nuk e zmbrapsi Azem Hajdarin. Me një vendosmëri të palëkundur, ne ecëm të sigurt drejt fitores duke shmangur gjakderdhjen. Ecëm drejt mbrojtjes së vlerave që u besonim.

Pas 32 vitesh, Shqipëria ndodhet jo vetëm në një monizëm ku një njeri kontrollon të gjitha pushtetet, por njëlloj si qeveritarët në vitin 1998 ekzekutuan me kolonelë dhe majorë të tyre, para selisë së PD-së, Azem Hajdarin, Edi Rama kontraktoi si vrasës me pagesë jo vetëm vrasës brenda vendit, por kontraktoi një nga njerëzit më të fuqishëm të zbulimit të SHBA, McGonigal për të vrarë, për të shkatërruar PD-në. Për të vrarë dhe shkatërruar Azem Hajdarit, idealet e lirisë së shqiptarëve.

Gjithçka kishte vetëm një synim, konsolidimin e pushtetit monist të Edi Ramës. Gjithçka kishte një synim: Shqipëria, protektorat i mafies dhe krimit ky McGonigali dhe të të tjerë, të vinin të pasuroheshin duke u prerë gjoba bizneseve. De facto po bëhej çdo gjë që një pushtet, që sillet më me egërsi se të gjithë pushtuesit e këtij vendi, të forcohej dhe konsolidohej çdo ditë e më shumë”, u shpreh Berisha.

Berisha thekosi se shuarja e Shqipërisë është shuarja e kombit, ndaj ai iu bëri apel shqiptarëve që t’i dalin zot vendit.

“Ky pushtet është pushteti më barbar, më mizor që kanë njohur shqiptarët. Ne kemi pasur fatin të përjetojmë pushtime të shumta, por asnjë pushtim tjetër nuk ka arritur të spastrojë shqiptarët etnikisht sa ç’ka arritur Edi Rama. Dhe ky është një kushtrim për çdo shqiptar, në Shqipëri dhe botë, për t’u ngritur. Të mos sodisin këtë vdekje graduale të Shqipërisë. Po vdiq Shqipëria, kombi shqiptar nuk mund të ekzistojë.

Shqipëria është djepi, është kushti më themelor i ekzistencës së kombit shqiptar. Ndaj ftoj shqiptarët t’i dalin zot vendit të tyre ndaj një agresioni barbar të mafies. Shuarja e Shqipërisë është shuarja e kombit. Nëse në harkun e 8 viteve, largohet një e treta e kombit, në 16 vitet e ardhshme nuk do ketë më shqiptarë këtu. Ky komb nuk e meriton të zhduket. Ai ka mbijetuar dhe mbijeton në tokat e veta, pa pasur varre përveçse në këto toka”, deklaroi Sali Berisha

edi rama charles mcgonigal sali berisha lulzim basha zgjedhjet e 14 majit enkelejd alibeaj berisha zgjedhjet vendore mcgonigal pd zgjedhjet vula e pd

EMISIONET