Berisha: Paralajmëroj falangat e Ramës, për çdo torturë që do t’u bëni qëndrestarëve, do të përballeni me ndëshkim ekzemplar

Berisha: Të dashur qytetarë dhe qytetare, qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të pamposhtur të shpresës, përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme për betejën juaj pa kthim, betejën tuaj drejt fitores.
Çdo orë, çdo ditë që kalon, dëshmon se kjo betejë është jetike për fatin e lirisë dhe dinjitetit të shqiptarëve.
Çdo orë, çdo ditë që kalon bëhet më e rëndë, më shtypëse, më dhunuese për shqiptarët nga narko regjimi i Edi Ramës dhe rilindjes së tij.
Të dashur miq!
Sot orari zyrtar në republikën e rilindjes nisi me një proces politik kundër 4 të rinjve, Andrea Maliaj, Klinti Toli, Bledar Tola, Ismet Stefanis, qëndrestarë pjesëmarrës në uraganin e 20 shkurtit.
Ata ishin sot në bankën e akuzës sepse me 20 shkurt terruan Edi Ramën dhe rilindjen e tij, tmerruan pushtetin e mafias që sundon sot në Shqipëri.
Por sot këta të rinj në sallën e gjyqit qëndronin krenarë dhe ballëlartë para akuzave false, të turpshme, të fabrikuara, të falsifikuara ndaj tyre.
Kjo skenë tregonte qartë se regjimi i ka hyrë frika gjer në palcë nga qëndrestarët, se regjimi ka humbur çdo shpresë për veten e tij, ndaj dhe përdor çdo mjet kundër lirive të qytetarëve.
Miqtë e mi!
Duke i përgëzuar edhe njëherë sot këta të rinj, për qëndrimin e tyre burrëror si në qelitë e zeza të regjimit, ashtu dhe në bankën e akuzës, paralajmëroj fallangat e Edi Ramës se, dita po vjen dhe u garantoj se për çdo torturë që tu bëni qëndrestarëve, do të përballeni nesër me ndëshkim ekzemplar.
Ju paralajmëroj se për çdo ditë burgu e tyre për motive politike, do të ju kthehet në vite burgu si armiq të lirisë së shqiptarëve.

EMISIONET