Berisha drejt arrestit, i bashkohet protestës: Rama dhe deputetët e tij menduan se do shpëtojnë, por ...
Menjëherë sapo Kuvendi i hoqi imunitetin, Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi jashtë sallës se nuk e njeh vendimin dhe menjëherë ai iu bashkua protestës së thirrur nga ai vetë
Gjatë fjalës së tij para tubuesve, Berisha theksoi se Edi rama dhe banda e tij menduan se kanë shpëtuar me heqjen e imunitetit të tij dhe vënien e tij poara drejtësisë.
PJESE NGA DEKLARATA NE PROTESTE
Ju keni lënë çdo gjë dhe jeni grumbulluar sot këtu, në një moment në të cilin bandat dhe krimi i përfaqësuar nga Edi Rama, Taulant Balla, deputetë dhe qeveritarë delinkuentë, menduan se do shpëtojnë duke hequr imunitetin e Sali Berishës dhe autorizuar bandat e tyre për arrestimin e tij.
Kjo është një përpjekje që dëshmon tmerrin që kanë ata sot nga ju, tmerrin që kanë nga opozita e vërtetë, tmerrin që përjetojnë sepse dështuan në sipërmarrjen e tyre më kriminale në historinë e demokracisë, sipërmarrjen e krijimit të opozitës fasadë, sipërmarrjen e realizimit të ëndrrës së Edi Ramës për një narkoshtet pa opozitë, për një paqe në qeverisjen e tij, të njëjtë me atë që kishin etërit e tij barbarë.
Por siç tregoi historia e këtyre dy viteve, opozita shqiptare rezistoi, u ngrit mbi të gjitha pushtetet e krimit në Shqipëri, u ngrit mbi të gjithë agresionin e mafies ndërkombëtare që do një Shqipëri moniste, protektorat të krimit, drogës dhe narkoshtetit. U ngrit jashtë çdo parashikimi dhe i kalli tmerrin regjimit të krimit në Tiranë.
Ndaj dhe ata, në një përpjekje fund e krye antiligjore, në një përpjekje fund e krye antikushtetuese, në një përpjekje të bazuar në shpifjen, trillimin, manipulimin e mijëra e mijëra dokumenteve zyrtare, mendoi se duke vepruar në këtë mënyrë si sot, do mund të bjerë në qetësi.
Unë kam bindjen se kjo ditë do jetë një ditë frymëzimi për të gjithë ju, për të gjithë shqiptarët, një ditë që do u rikujtojë atyre se misioni i tyre kryesor është o sot o kurrë, të përmbysim narkodiktaturën, regjimin e krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve.
Ju jeni dëshmitarë se prej muajsh ne kemi denoncuar me fakte, me dokumente dhunimin e tmerrshëm të zgjedhjeve. Ne e kemi bërë atë para të gjithash që shqiptarët të mos mendojnë më kurrë se me Edi Ramën mund të kenë zgjedhje. Ne e kemi bërë atë në përputhje me vendimin tonë se do mbrojmë votën e shqiptarëve.
Ne e nxorëm në pah para shqiptarëve dhe botës, shëmtinë e madhe, batërdinë që Edi Rama bëri me votën e këtij vendi.
Qëllimi ynë madhor ishte dhe mbetet, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, rrëzimi i tij nga pushteti është misioni ynë i shenjtë. Votimi i lirë i shqiptarëve është qëllimi ynë më madhor.
Deklarata në mbyllje të seancës plenare
Më herët ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të Kuvendit, që i hoqi imunitetin e deputetit, duke iu përgjigjur kërkesës së SPAK, që kërkon arrestimin e tij.
“Sot parlamenti antikushtetues, antidemokratike, votoi në kundërshtim me çdo procedurë ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Sot parlamenti vazhdoi veprën që dështoi më 9 shtator, dy vite më parë. Por nëqoftëse dështoi më 9 shtator, ju garantoj se sot do të jetë më i dështuar se kurrë. Ky vendim jo që nuk do të mundë të realizojë shkatërrimin e opozitës, por do ta mobilizojë atë nën moton ‘o sot o kurrë’ duke i dhënë përgjigje të merituar qeverisë.”, tha ai.