Salianji takime me demokratët, Berisha flet për tradhti: Grupime të tilla nuk më impresionojnë
Kryedemokrati Sali Berisha ka sulmuar ish-deputetin Ervin Salianji nga Kuvendi për lëvizjen e tij me demokratët.
Berisha e ka cilësuar agjendë personale foltoren e ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji. Në një komunikim me mediat, ai nuk i kurseu kritikat ndaj Salianjit, ndërsa tha se struktura e PD në Durrës nuk iu përgjigj.
“Asnjë deputet nuk ka nisur asnjë foltore. Ju lutem korrigjojeni. Po, është një anëtar kryesie, i cili ka një agjendë personale, i uroj ta vazhdojë sa të ketë qejf.
Është një anëtar kryesie, i cili është i kooptuar në kryesi, i cili në asnjë mbledhje kryesie nuk ka shtruar asnjë nga këto probleme, i cili ka një zonë në Kombinat i ngarkuar për analizën dhe të gjitha.
Do të ketë agjendë personale, ta vazhdojë gjer në fund. Se çfarë ishte salla, atë e di unë. I përgëzoj strukturat e Durrësit që nuk u mashtruan nga një takim me agjendë strikt private.
Të deklarosh se militanti demokrat nuk dëgjohet, nuk ka mashtrim më të madh se para jush dhe të gjithë shqiptarëve, këto katër vite militanti demokrat ka votuar sa kurrë në ekzistencën e tij.
Dhe vota është mënyra më e mirë e dëgjimit. Pra, të zgjedhësh një axhendë personale, është një zgjedhje, të cilën unë nuk kam asnjë kundërshtim. Ai po ndjek një agjendë personale dhe kaq. Të vazhdojë me agjendën e tij personale. Edhe njëherë i përgëzoj anëtarët dhe demokratët e Durrësit, të cilët e braktisën, i përgëzoj.
Aty ishin një grup të pakënaqurish që nuk u futën në listat për deputetë, kishte të tjerë që punuan për PS, ç’është e vërteta dhe që kanë frikë analizën që do bëhet se do u dalë. Do jetë analiza.
Absolutisht jo, nuk janë ngritur këto akuza fare. Prandaj duhet analiza në parti. Se ata që i kanë tradhtuar militantët dhe punuan për Ani Dyrmishët dhe të tjerët, sigurisht do japin hesap para strukturave.
Ata të cilët morën udhëtime turistike gjatë fushatës... po paralajmëroj llogaridhënie. Ata të cilët zgjodhën turizëm në mes të fushatës, ata sigurisht bashkohen se kanë qëllimet e tyre. Edhe njëherë i përgëzoj demokratët e Durrësit dhe i garantoj se do ketë një llogaridhënie të plotë nga të gjitha strukturat, të gjithë drejtuesit.
Thashë edhe njëherë, axhenda private, disa prej tyre që i njoha, pashë individë që kanë punuar për Ami Dyrmishët, pashë të tjerë që ia kanë mbathur në mes të fushatës për turizëm në mënyrë të dokumentuar. Tani këta nuk mund të më impresionojnë mua.
Tani, unë e kuptoj që doni ushqim për studio në mënyrë që të mbuloni skandalet e tmerrshme të qeverisë, por e vërteta është se zoti Salianji të vazhdojë axhendën e tij personale.
Ai është i ngarkuar, ka një zonë, ku duhet të bëjë analizën, ka marrë pjesë në analizë në atë zonë, është anëtar kryesie.
Ai ka të drejtë të shtrojë çdo gjë në kryesi dhe çdo gjë në zonën ku është caktuar. ...Ato nuk kanë rëndësi fare. Zgjedhja është thelbi i lirisë. Ai ka bërë atë zgjedhje, e gëzoftë zgjedhjen”, tha ai.

Me heret deputetët e Partisë Demokratike janë pyetur nga gazetaret jashtë Kuvendit në lidhje me foltoren e Ervin Salianjit, i cili nisi nga dita e djeshme takimet në Durrës me demokratët atje.
Deputeti Tritan Shehu tha se nuk komenton zgjedhjet personale të çdo njeriu. Ndërsa Saimir Korreshi tha se takon çdo demokrat: “Unë takoj çdo demokrat, pavarësisht nga emri dhe mbiemri. Unë kam pirë 100 herë kafe me Ervinin, tani nuk e pres unë edhe njëherë“.
Edhe Xhelal Mziu u shpreh se “Çdo demokrat është i mirëpritur kudo dhe për të qenë një armë më shumë kundër kësaj qeverie”.
Agron Gjekmarkaj nuk pranoi të flasë për gazetarët, duke i thënë “Ditë të mbarë”.
Edhe deputeti i PD-së, Tomor Alizoti është pyetur jashtë Kuvendit për takimin e mbrëmjes së të mërkurës të Ervin Salianjit me strukturat e PD-së, ku ishte i pranishëm edhe Ilir Alimehmeti.
“A ka ndonjë pyetje për Ballukun, për qeverinë? Për Ballukun që s’ka ardhur. Ervini është miku im, një djalë flori, por unë dua një pyetje për qeverinë, përqendrohuni se ngelët tek opozita”, u shpreh shkurtimisht ai, duke mos pranuar të komentojë.
Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, i pyetur lidhur me situatën brenda PD-së, pasi Ervin Salianji zhvilloi një takim në Durrës, u shpreh se fokusi duhet të jetë në Kuvend.
Klevis Balliu: "Duhet të përqendroheni më shumë tek 50 mln eurot që vjedh Belinda. Debati në PD ka qenë dhe do të jetë gjithmonë. Unë e kuptoj që s’ka debat nga pala tjetër. Rëndësi ka që do jemi përballë qeverisë, aty ku kemi qenë gjithmonë.
Frymëzimi vjen kur vijmë këtu tani dhe ti denoncojmë asaj të gjitha aferat, ka 50 mln euro tek Tuneli i Llogarasë, 80 mln euro tek Tigri 1 dhe Tigri 2, dhe 70 mln euro tek Korçë-Ersekë. Janë para që po i ikin qytetarëve shqiptarë.




