Berisha: Lista e Ramës përbëhet nga kandidatë me dosje në SPAK dhe patronazhistët famëzinj
Kreu i Partisë Demokratike, në një bashkëbisedim me qytetartë në rrjetet sociale u shpreh se grupi i parë i listës së Edi Ramës janë që të gjithë pa përjashtim me dosje të rënda Spak-u, aferash korruptive ndër më të mëdhatë dhe lidhje me krimin ndër më të tmerrshme.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur miq, përsëri jam para jush për të diskutuar me ju, për të dëgjuar pyetjet dhe për t’ju përgjigjur komenteve tuaja.
Ka qenë një javë hektike, në kuptimin e mbledhjeve të pafundme për përzgjedhjen e kandidaturave, por mendoj se PD paraqet para shqiptarëve kandidaturat më përfaqësuese që ajo ka paraqitur në tërë ekzistencën e saj.
Paraqet para shqiptarëve kandidatura që kanë një karrierë politike të gjatë dhe kanë qendruar në pushtet si shërbëtorë të qytetarëve.
Shkurtimisht, grupi i parë i listës së Edi Ramës janë që të gjithë pa përjashtim me dosje të rënda Spak-u, aferash korruptive ndër më të mëdhatë dhe lidhje me krimin ndër më të tmerrshme. Simbol i kësaj liste, përveç Edi Ramës vetë, është Taulant Balla.
Grupi tjetër, është grupi i patronazhistëve famëzinj, të cilët nuk kanë ligj as moral, mercenarë të vërtetë që shkelin kushtetutën për privilegjet e tyre për të mbrojtur pushtetin. Vendosen në lista, sepse njëri i thotë se Rama është Zeus, se tjetra thotë se, Rama është 10 hapa para.
E treta thotë, është brand botëror. Pra, lista e turistëve, është lista, duhet ta themi haptas, është lista më qesharake që është paraqitur ndonjëherë. Sepse, çfarë ndodh?
Këta vijnë e shkojnë. Marrin një mandat, rrinë 4 vjet, vazhdojnë punën e tyre dhe merr një grup turistësh tjerë, i sjell, i merr dhe këta i quan fasada, i quan meremetim, këta i quan ripërtëritje.
Po ripërtëritja nuk është një proces turistik.
Sigurisht që ne, do bëjmë të gjitha përpjekjet për mbrojtjen e votës. Por, i dashur Leart shkojmë në këto zgjedhje pasi tre rezoluta ndërkombëtare, të firmosura së bashku nga 193 parti politike të planetit kanë damkosur zgjedhjet e Edi Ramës si një farsë elektorale.
Pra, kanë dridhur themelet e narkokracisë dhe diktaturës së tij. Ne, garantojmë shqiptarët që bëjmë çdo përpjekje për të numëruar çdo votë të tyre dhe për të firmosur më 11 maj fitoren e opozitës.