Berisha: Gjaku i martirëve të 2 Prillit duhet të na frymëzojë! Olsi Rama, një trafikant kriminel, do marrë atë që meriton bashkë me ...

Ish-kryeministri Sali Berisha nga dritarja e protestës për izolimin e tij në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar deklaroi se gjaku i martirëve të 2 Prillit 1991 duhet të na frymëzojë në një betejë të fuqishme për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë.

Po ashtu, Berisha hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe vëllait të tij, Olsi Rama.

Pjesë nga fjalimi i Berishës

Mirëmbrëma qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të shpresës, dinjitetit dhe lirisë së shqiptarëve.
Një përshëndetje të përzemërt për ju, përshëndetje të përzemërt oratorëve fjalëartë, që nga kjo tribunë e parlamentit të lirisë përcjellin anekënd vendit shpresë, besim, guxim.

Të dashur miq, 2 Prilli është i gdhendur në memorien e demokracisë si një ditë e zezë, një ditë e përgjakshme.

Me 2 Prill të vitit 1991, të rinjtë e Shkodrës, qytetarët e Shkodrës dolën në protestë paqësore kundër vjedhjes dhe rrëmbimit të votës së tyre të lirë nga diktatura e fundit komuniste në Europë.

Në një akt hakmarrje primitive ndaj Shkodrës antikomuniste, falangat e krimit të diktaturës derdhën mbi të rinjtë dhe qytetarët e Shkodrës breshëri automatikësh dhe mitrolozësh.

Në këto sulme mizore, në këtë masakër të vërtetë ranë për votën e lirë për t’u bërë të pavdekshëm Arben Broci, ish-anëtar i kryesisë së PD, student themelues i kësaj partie.

Ranë bashkëluftarët e tij Bujar Bishanaku, Nazmir Kryeziu, Besnik Ceka dhe u plagosën 87 qytetarë të tjerë.
Të dashur miq, duke shprehur nderimin tonë më të madh për sakrificën e tyre që u bë dritë për shqiptarët, sakrificë që çeli dyert e votës së lirë në Shqipëri, sakrificë që jehoi në të katër anët e planetit, theksoj dhe shtoj këtu se këtë vit ne jemi më të detyruar se kurrë ndaj martirëve të 2 Prillit.

Sepse sot njëlloj si në 1991-shin, ne jemi qytetarët e votës së vjedhur dhe kontrolluar nga pushteti. Sepse sot njëlloj me 1991-shin, ne jemi qytetarë që po braktisim pasivisht vendin.

Njëlloj si në 1991-shin, regjimi bën gjithçka për të asgjësuar opozitën. Ndaj dhe për ne, sakrifica dhe gjaku i martirëve të 2 Prillit duhet të na frymëzojë në një betejë të fuqishme për të rikthyer shqiptarëve votën e lirë.

Ata ranë që Shkodra dhe Shqipëria të votojnë në liri. Ata nuk duruan, nuk ulën kokën po dolën ballë për ballë regjimit të egër. Ndaj dhe ne, o sot o kurrë, duhet të dalim ballë për ballë këtij regjimi dhe ta përmbysim atë.
Të shkojmë në qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

Të dashur miq. Sot Edi Rama, me skapistët e tij që mbrojnë çdo krim, ka shuar çdo shpresë te shqiptarët se ata mund të votojnë të lirë. Ka shuar çdo shpresë te shqiptarët se ata mund të gjejnë të drejtë në këtë vend.

Ka shuar çdo shpresë te shqiptarët se ata mund të gëzojnë pasuritë e këtij vendi. Çdo ditë dalin skandale që tejkalojnë imagjinatën. Këto ditë u rikthye përsëri në skenë Olsi Rama, si bashkëpunëtori ndër më aktiv i grupit të Xibrakës. Me fakte, me dokumente, të gjitha të provuara.

E provuar se Olsi Rama drekonte dhe darkonte me Genci Xhixhën, Gentian Gjonajn, Ermal Hoxhën e të të tjerë. E provuar dhe e faktuar se me makinën e tyre, me makinën e grupit të drogës, Olsi Rama ka kaluar kufirin 18 herë. Ka hyrë në Shqipëri dhe ka dalë jashtë 18 herë.

E faktuar se ditën e arrestimit të dështuar të grupit, ai ka kaluar kufirin me makinë pa targa në Morinë. E faktuar se Genci Xhixha, kryetrafikanti me bazë në Kubë ishte paditur nga organet ligjzbatuese gjatë qeverisjes sonë për larje parash, bashkë me nënën e vet, bashkëpunëtore e afërt e Edi Ramës.

Të gjitha këto janë të faktuara, por megjithatë prokurorët e partisë injoruan të gjitha këto dokumente. I fshehën këto dokumente, nuk i çuan në gjykatë këto dokumenta dhe ai shkoi në dosje si bashkëpunëtori i paidentifikuar.

Olsi Rama, të kemi identifikuar ne dhe gjithë Shqipëria, ti je një trafikant kriminel dhe do marrësh atë që meriton bashkë me vëllanë tënd që të mbron.

EMISIONET