Berisha: Arrestimi i Veliajt ka rrokullisur piramidën gjigante të krimit! Dosja e tij është dosje shtetërore dhe Nesti Angoni është...
Kryedemokrati Sali Berisha, zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ku fillimisht vlerësoi vizitën e krye-strategut të rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ky është Chris LaCivita.
Ndërkaq Berisha theksoi se Erion Veliaj është hajduti i tretë më i madh pas Edi Ramës dhe Belinda Ballukut! Dosja e tij është dosje shtetërore, tha ai.
FJALA E BERISHËS
Të dashur miq, së pari e nis këtë bashkëbisedim me ju me një ndjesë për vonesën e fillimit të tij pasi unë isha me disa miq të huaj dhe më pengoi kjo që të jem i përpiktë me ju.
Zhvillimet e kohës që nuk kemi komunikuar kështu direkt bashkë, kanë qenë ndër më të fuqishmet, por kanë qenë edhe përcaktuese në një mënyrë apo një tjetër për zhvillimet në Shqipëri dhe të ardhmen e saj.
Së pari, këto ditë zbarkoi në Shqipëri kryestrategu i rikthimit më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në histori, rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ky është Chris LaCivita.
Ai erdhi në Shqipëri me ekspertizën më të avancuar të kohës për të ndihmuar PD-në dhe opozitën shqiptare në këtë fushatë elektorale.
Por ai erdhi në Shqipëri me mesazhin e qartë si kristali, si kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan se Edi Rama është kukulla e Xhorxh Sorosit në Shqipëri dhe në botë.
Se kukulla e Sorosit nuk mund të jetë një partner për SHBA-në dhe se partneri i SHBA në Shqipëri, i Partisë Republikane, është Partia Demokratike dhe Sali Berisha.
Siç ai u shpreh, njeriu që pësoi persekutime të ngjashme dhe qëndrime të ngjashme me ato që ekstremi i majtë mbajti në SHBA ndaj presidentit Donald Trump.
Të dashur miq, duhet të ndalem vetëm në një moment. Deklarata e presidentit Donald Trump se armiku më i rrezikshëm për SHBA është armiku i brendshëm, është deklarata më e rëndësishme e jetës së tij, është një nga deklaratat më të rëndësishme të kohërave dhe historisë.
Kjo sepse SHBA janë vendi me fuqi të pakufishme dhe të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. Por janë vendi që për shkak të njëlloj pushtimi nga ekstremi i majtë, i quajtur progresist, pësoi rënie dhe fenomene, të cilat herë- herë shkonin në nivelin e botës së tretë.
E vërteta, mbrëmë në Mynih zëvendëspresidenti i SHBA, në një fjalim historik në atë konferencë, përsëriti të njëjtën tezë.
I tha Europës se rreziku më i madh i juaj nuk është Kina, nuk është Rusia, por rrezikun më të madh e keni të brendshëm.
Atë rrezik që arreston liderët e opozitës, siç ka vepruar Edi Rama në Shqipëri për të mbajtur mandatet.
Atë rrezik që anulon zgjedhjet siç ndodhi në Rumani apo në Shqipëri me Fredi Belerin.
Atë rrezik që predikon censurën siç ndodhi në Shqipëri pas vizitës së Blinken me krijimin e komisionit të censurës në parlament dhe Ministrinë e Jashtme.
Pra, për presidentin Donald Trump, rreziku më i madh i njerëzimit është largimi nga vlerat e lirisë, vlerat që ndajnë njerëzit e lirë.
Ndaj dhe PD ka rishqyrtuar dhe po rishqyrton të gjithë programin e saj për desorosifikimin e Shqipërisë, që u shndërrua në kopshtin e lulëzuar të monstrës së njerëzimit, që quhet Xhorxh Soros.
Miq, këto ditë ndodhi një ngjarje tjetër, e cila shënon rrokullimin e piramidës më gjigante të krimit që ka njohur Shqipëria dhe një nga më të mëdhatë që ka njohur Europa, që është regjimi i Edi Ramës.
U arrestua nga Skapi dhe gjykata njeriu i tretë më i korruptuar i vendit, pas Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, Erion Veliaj.
Ka një rebus, me të drejtë qytetarët shqiptarë duan të dinë pse Erion Veliaj nuk u arrestua për djegësinë e Tiranës, me të cilin janë zhdukur 130 milionë euro për u vendosur një tullë në themelet e tij, për të cilin përgjegjës direkt është Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Vetëm një muaj më parë, Arben Ahmetaj deklaroi se Erion Veliajt i diktoi me presion të madh Edi Rama të firmosë të gjitha dokumentet.
Pra, Erion Veliaj nuk u penalizua, nuk u mor në hetim për këtë aferë, më flagrantja në historinë e vendit, vetëm e vetëm se kjo të çonte direkt te Edi Rama.
Erion Veliaj, në një akt kriminal, nuk u akuzua, nuk u penalizua për aferën e 5D, aferë e cila është modeli i vjedhjes 100 përqind të parave publike nga zyrtarët, nga drejtorët, nga Veliaj, nga Mazniku në Bashkinë e Tiranës. Me dokumente.
Pra, as për këtë jo, të cilën e paraqiti opozita.
U fol, dokumente nuk ka.
Prokuroria ka dokumente që punonjës janë shprehur se hoteli është i Lali Erit, por të tjerë kanë raportuar se në hotel, aksioner kryesor është Olsi Rama.
Cila është arsyeja pse Skapi i partisë nuk ngriti asnjë akuzë për Veliajn dhe Maznikun në këtë aferë?
Vetëkuptohet, nuk mund të jetë asgjë tjetër përveçse interesa të klanit më epror mafioz të Shqipërisë, klanit të Edi Ramës.
Vijmë tani tek dosja për të cilën u arrestua Erion Veliaj.
Kjo ishte një dosje shtetërore të dashur miq.
Nesti Angoni nuk ishte një qytetar privat.
Nesti Angoni nuk ishte opozita, që do donte të ishte, por nuk ishte.
Nesti Angoni ishte Danjoli i Sherkës, një personazh i Rexhep Qosjes, i cili regjistronte telefonatat e Erion Veliajt, i cili survejonte takimet, udhëtimet e Velicës dhe të Erionit, hotelet ku flinte në Vjenë.
I cili survejonte Klotildën tek takohej me Velicën ose bashkëpunëtorë të saj.
Nesti Angoni, pra ishte në fakt shteti vetë.
Ishte Bistri, ishte Balluku, ishte Edi Rama pa asnjë lloj mëdyshje.
Nesti Angoni kontrollonte telefonat, kontrollonte avionët, kontrollonte doganat, kontrollonte blerjet online, komunikimet online, kontrollonte çdo gjë.
Ajo dosje thuhet se erdhi nga Fieri. Por dosja është totalisht Rama-Balluku, ushtarët aty janë të shumtë, nuk janë të paktë, por dosja është qeveritare.
Çfarë ndodhi tani? Erion Veliaj duhej eliminuar dhe këtë vendim Edi Rama e kishte marrë prej kohësh. Edi Rama kishte paralajmëruar arrestimin e Erion Veliajt. Edi Rama kishte kërcënuar Erion Veliajn.
Në një akt ‘ëoke culture’, kur Erion Veliaj ftoi për t’i dhënë çelësin e qytetit Ali Ahmetit, Edi Rama shkoi për të nderuar Ali Ahmetin, por nga fotografia doli vetë, Alia dhe çelësi. Erion Veliajt ia hoqi foton si armik.
Në doktrinën e mafies dhe të ekstremit, armikut i pritet koka, nuk mund të jetë në fotografi me të dhe kjo ndodhi. Kështu që çfarë kishte në këtë mes?
Dy gjëra. Edi Rama nuk parashikoi dot se me Erion Veliajn po priste degën ku rrinte vetë, se me vepra ishin të lidhur si vëllezër siamezë.
E dyta, Edi Rama ndoshta donte arrestimin e tij në dhjetor apo pak më parë, kur ai e zëvendësoi pothuajse plotësisht me treshen tjetër elektorale në Tiranë. Ajo ndodhi në një kohë kur ndoshta nuk ishte koha më e përshtatshme për të.
Por miq, ajo u tregoi shqiptarëve se sa të pangopur janë në vjedhje këta qeveritarë.
Sot në propagandën bajate të tyre përpiqen të mbulojnë vjedhjen e tmerrshme me garderobë të 870 mijë euro blerje.
Harrojnë se 870 mijë euro para të taksapaguesve, të marra që të gjitha nëpërmjet parave të bashkisë, të dhëna nga Veliaj kompanive të krijuara për këtë qëllim për të çuar paratë tek e shoqja, përpiqen ta mbulojne se po flitet për fustanet e të brendshmet e Velicës. Sigurisht ka një të drejtë këtu.
Vërtet Velica ka blerë veshje, bizhura fiks aq sa ka blerë Lajla Asadi sipas raporteve ndërkombëtare, 1 milion euro.
Por shumë më të mëdha janë vjedhjet për vila. Është gjetur se ata kanë tre vila. Është gjetur se kanë rrafshuar njërën vilë për të fituar terren zbavitës.
Është gjetur se vetëm në një kasafortë janë gjendur dengjet me 500 euro të mykura, që janë tipike dengjet e narkotrafikantëve, e thotë Gratieri.
Pra, para të gjithë këtyre gjetjeve të tmerrshme, Edi Rama u përpoq me një zhargon ordineri, po edhe me gjeste të shkallmuari të tërheqë vëmendjen nga kjo.
VIDEO - BASHKEBISEDIMI I PLOTE I BERISHES